Një humbje që ende djeg ishte ajo që Shqipëria mori ndaj Turqisë. Me rezultatin 1-0 dhe në një përballje ku kuqezinjtë ishin shumë herë më mirë se kundërshtari.
Por ky është futbolli, ndonjëherë i padrejtë, ndërsa ne duhet të kënaqemi me atë që quhet humbje dinjitoze. Kjo e fundit është edhe më e hidhur në shije, por me rëndësi mbetet që shpresa ekziston me atë që është treguar në fushën e blertë.
Në një intervistë ekskluzive për “Sport Ekspres”, ka dhënë mendimin dhe analizën e tij edhe një legjendë e Kombëtares, Altin Rraklli. Duke folur hapur dhe drejtë me këndvështrimin për mënyrën sesi ka parë kuqezinjtë, e quan një mëkat të madh faktin që jemi eliminuar në këtë grup.
E nisim me Turqinë intervistën. E kishim parë apo jo ndonjëherë këtë Shqipëri? Ndërrimi i fazës nga mbrojtja në sulm. Sulmonim me 7 lojtarë, nuk ndodhte as në kohën e De Biazit.
Patjetër që ishte një Shqipëri ndryshe. Unë do të thoja vazhdimësia e ndeshjes me Islandën që ne fituam. Nëse do të ishte ky ekip që në fillim, do ishte shumë ndryshe. Me atë Shqipëri që pashë unë është mëkat i madh, duhej të ishim kualifikuar ne. Turqinë dhe Islandën, këto lloj Kombëtaresh i kemi mundur edhe në të shkuarën që nuk ka pasur ndonjë organizim të mirë nga ana jonë. Jemi shumë më lartë se ata.
Tani lojtarët janë më të freskët më të uritur. Si ndeshjet e para të Rejas dhe të Panuçit, është një ndryshim i madh duhet thënë. Lojtarët, gjendja fizike, botëkuptimi dhe uritja të çojnë në nivel tjetër. Patjetër që duhej të ishte fituar nga ne, siç e thatë dhe ju që dilnim me 6-7 lojtarë përpara. Turqia ishte inekzistente dhe kjo ishte meritë e jona. Kombëtarja e mbylli zonën, nuk e la kundërshtarin që të qarkullonte topin në mënyrën sesi ai dëshironte ta bënte një gjë të tillë. Lojtarët e rinjë po e justifikojnë veten.
Sa i përket Rei Manajt. Kur një sulmues humbet një apo dy raste të pastra, atëherë tregohet pak altruist dhe për të hequr ndjenjën e fajit e pason topin në aksionin tjetër. Por kjo nuk po ndodhte me Manajn. Ku mund të kuptohet kufiri mes egoizmit të duhur për një sulmues dhe egoizmit të tepruar?
Shiko, ato raste Manaj i ka sajuar vetë në pjesën më të madhe. Ato ishin aftësi individuale dhe fizike e lojtarit që largohej bukur nga kundërshtari dhe godiste portën, përveç shërbimit nga Roshi. I mungon shpejtësia dhe kjo është parë. Është lojtar që ka personalitet dhe kjo më pëlqen. Ka besim të madh të vetja, madje më shumë se duhet. Sulmuesi duhet të tregojë edhe egoizëm, por duhet pasuar në rastet flagrante, kur shoku yt gjendet bosh. Aty tejkalohet masa dhe futemi te egoizmi i tepruar dhe që dëmtohet skuadra. Por nuk kam parë që Manaj nuk ka pasuar kur një lojtar i yni të ketë qenë në pozicion shumë të favorshëm ndaj Turqisë.
Pastaj hyrja e Roshit dhe ajo servirje që i bëri Manajt. I jep tjetër frymë skuadrës, por gjithmonë duket një lojtar i kufizuar sa i përket minutave apo jo?
Roshi është vlerë e madhe për Shqipërinë. Problemi i tij është që i kërkohet të bëj shumë edhe në fazën mbrojtëse. Për këtë arsye nuk i përballon dot 90 minutat dhe futemi te ai kufizimi i sipërpërmendur. Shpërthimet po i tregon në krahë, së bashku me shpejtësinë e madhe. Mos të harrojmë se shpejtësia nuk humbet kurrë te një lojtar.
Ajo dalje e Strakoshës dhe gafa e bërë, jo tërësisht një rastësi. E kemi parë dhe te Lacio me këto pasiguritë në daljet nga zona. Si e sheh këtë çështje?
Babain e tij e kam mik shumë të mirë. Por disa gjëra duhet t’i themi siç janë. Puna e Strakoshës është kthyer si ajo puna e lopës, që të jep mirë e mirë dhe pastaj t’i bie kovës me shkelm. Sigurisht që nuk duhet të harrojmë se është portier i ri ende dhe titullar i Lacios. Ajo aventura që ndërrmori ishte e rrezikshme dhe portieri duhet ta shoh kur mbrojtësi ka mundësi ta kap topin apo nuk ka mundësi. Aty dallohet edhe një portier i mirë që e nuhat situatën. Nëse nuk kishte mundësi Ismajli, atëherë po që duhej të dilte, por mbrojtësi ynë ishte në vendin e duhur. Pastaj, si mund ta lësh portën bosh? Asnjëherë nuk mundet. Portierë më të mëdhenj gabojnë gjithashtu, por Strakosha duhet të përmirësohet në të ardhmen. Pasi këto gabime po i ndodhin thuajse çdo muaj.
Kur i mbledhim të gjitha ndeshjet e Rejës. Si e vlerëson dhe deri ku mund të shkojmë me të?
Që skuadra ka një fytyrë tjetër dhe është si dita me natën, nuk do shumë për t’u kuptuar. Ne nuk duhet të nxitohemi shumë për ndeshjen me Moldavinë. Historikisht kur jemi fryrë e fryrë me komente të mira, kemi bërë një dështim më mbrapa. Po historikisht ama! Shpresoj që djemtë këtë herë të mos e bëjnë një gjë të tillë. Për mua dua të fitojmë njëherë këto dy ndeshjet me Moldavinë dhe Andorrën. Pastaj do të ishte vërtet shumë e mirë që të shihja se Franca nuk do e kishte siguruar kualifikimin kur të vinte në Shqipëri. Aty do të dukej edhe fytyra e vërtetë e Shqipërisë së Rejës, nëse Franca kërkon pikë për kualifikim në Shqipëri. Fytyra e vërtet, me kundërshtar të vërtet.
Veseli në super formë. Tani edhe Hysaj nuk mund ta marrë kaq lehtë te Kombëtarja, ka sadopak presion?
Hysaj ka qenë i padiskutueshëm në kohën e Panuçit, por me këtë nivel që tregoi Veseli me Turqinë, nuk mendoj se ka më të padiskutueshëm. Gjithmonë konkurrenca i bën mirë grupit. Megjithëse Hysaj ka cilësi të mëdha dhe nuk është lojtar stoli, por ka më shumë rivalitet.
Sa i përket kësaj temës për trajnerin shqiptar. Je pro apo kundër?
Për këtë temë do të thoja që ka trajner në Shqipëri që mund të marrin Kombëtaren për nga cilësia. Por të marrësh Shqipërinë është një peshë e rëndë dhe kjo duhet theksuar. Nuk lë vend si çështje për më shumë koment, pasi përgjatë gjithë kësaj kohe ka qenë vendimi nga ana e presidentit për t’i besuar trajnerëve të huaj që të marrin drejtimin e Kombëtares. /Sport Ekspres/