Nëse i referohemi statistikave, duket se Hysen Dedja është futbollisti me më shumë ndeshje të luajtura me fanellën e Vllaznisë. I dyti pas tij, është ish- mesfushori Amarildo Belisha i cili me fanellën kuqeblu të veshur, ka luajtur plot 341 ndeshje vetëm në kampionat. Më shumë se ai ka shënuar vetëm Hysen Dedja. Një statistikë e tillë kuptohet që e bën atë të ndihet mirë.

Belisha ka debutuar me Vllazninë pikërisht me 15 maj të vitit 1999 kur hyn në pjesën e dytë të ndeshjes që skuadra shkodrane po luante ndaj Lushnjës në fushën e kësaj të fundit dhe që e fitoi me rezultatin 2-1.

Ndeshja e fundit ndërkohë ka qenë ajo e luajtur në Shkodër më 10 maj të vitit 2014, pikërisht ndaj Teutës (ka fituar kjo e fundit me rezultatin 3-1) dhe këtu mbyllet gjithçka për mesfushorin në moshën 33 vjeçare. Belisha ka pranuar të rrëfejë për “Shkodra Sport” emocionet që ka përjetuar gjatë aktivizimit të tij me Vllazninë.

“Ndjehem mirë që kam qenë pjesë e historisë së Vllaznisë, kam dhënë kontributin tim për arritjen e disa sukseseve dhe jo vetëm. Kam mbi 400 ndeshje zyrtare të luajtura me fanellën e saj dhe kjo kuptohet që më bën të ndihem mirë, ndonëse ndoshta dikush nuk e vlerëson ashtu si duhet këtë kontribut që kemi dhënë për këtë klub.

Kam kaluar 15 vite të shkëlqyera karriere dhe i kam të fotografuara në memorien time të gjithë momentet interesante të kësaj karriere. Më vjen mirë po ashtu që jam “në konkurrencë” me profesor Ser Dedjen sa i takon numrit të ndeshjeve të luajtura me fanellën e Vllazninë dhe kjo tregon edhe njëherë tjetër se kam lënë gjurmë tek kjo skuadër.

“Për sa kam luajtur në Shqipëri, besoj se kam marrë maksimumin e mundshëm nga karriera ime, me karakteristikat e lojës që kam patur unë dhe me nivelin që kam patur. Pengu i vetëm është se dy herë që kam patur mundësi të transferohem në një kampionat më të fortë, por gjithsesi, falenderoj Zotin dhe jam i kënaqur edhe me këto që kam arritur, pasi shoh respektin dhe vlerësimin që tifozët shkodranë kanë për mua dhe kjo më bën të ndihem mirë”- është shprehur Belisha për gazetën tonë.
© shkodrasport.com