Vllaznia po vuan së fundmi dhe kuptohet që askush nuk është në gjendje të shpjegojë ashtu si duhet pse ndodhi kjo rrëshqitje e ekipit që deri para pak javësh ndodhej në vendet e para të renditjes ndërsa tani mban vendin e tetë dhe ndjehet e rrezikuar për në play- out.

Analisti i njohur Apollon Haxhi ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Shoë” teksa ka bërë një rezyme të situatës aktuale, por duke dhënë edhe një këshillë se si mund të dilet nga kjo gjendje.

“Ky ekip është thënë gjithmonë se ka pretendime për vendet e larta të renditjes, por gjërat këto javët e fundit janë rrokullisur në krahun tjetër. Ndodhemi në vendin e tetë, e kemi katër pikë larg vendin e shtatë dhe po ashtu janë edhe dy ndeshje shumë të vështira përpara.

Mendoj se tani kanë filluar problemet për Vllazninë dhe ajo është shumë e rrezikuar për të shkuar në play-out. Kemi të bëjmë me një kampionat të vështirë, tepër të rivalizuar dhe shihet qartë se pikët është shumë e vështirë të merren ndaj çdo kundërshtari.

Edhe sikur të luash shumë mirë në ndeshjen e ardhshme, atë kundër Kukësit e të marrësh një barazim, në fund të fundit çfarë vlen për renditjen sepse sërish mbet aty ku je. Diferenca prej 4 pikësh tashmë me ekipet e tjera më sipër në renditje, është një problem shumë shqetësues për Vllazninë.

Po kush janë fajtorët për këtë situatë? Dua t’i përfshij të gjithë, futbollistë që nuk japin maksimumin në fushë, trajnerin që ka edhe ai përgjegjësinë kryesore kur skuadra nuk funksionon si duhet por edhe drejtuesit. Të gjithë ata duhet të reagojnë sa më shpejt, për të mos e parë sërish Vllazninë të rrezikuar nga rënia prej kategorisë”- është shprehur Haxhi.
© shkodrasport.com