Në Shkodër kanë atë idenë se ndaj Teutës duhet “marrë hak” për titullin kampion “të vjedhur” apo për finalen e Superkupës, por ish- futbollisti i Vllaznisë Uliks Kotrri mendon ndryshe. Në një prononcim të dhënë në “Sport Arena” ai është shprehur:
“Një ekip që pretendon të jetë ekip i madh, nuk ka vend për “të marrë hak”. Ai dëshiron të marrë pikët e veta, bën llogaritë e veta dhe në fund krejt sheh veten se ku ka arritë.
Nuk duhet të ecim me këtë idenë se “duhet të marrim hak” me Teutën sepse mund të ndodhë kjo, por humb më pas 4 ndeshje dhe ajo nuk do të vlente asgjë. Brdariç është një trajner që mendon gjithçka vetëm për të marrë trepikëshin. Nuk ia ka inatin askujt, vazhdon atë punën e vet në mënyrë të qetë”.
Por Kotrri zbulon edhe disa detaje të tjera të punës së stafit teknik te Vllaznia. “Kjo skuadër është ende një kantier ndërtimi. Duhet të formatohet Latifi me lojën e Vllaznisë sepse ndryshe ka luajtur te Skënderbeu dhe ndryshe i duhet të luajë këtu.
Stafit i duhet të merret vesh me Da Silvën që është një lojtar disi i veçantë nga të tjerët nga karakteri dhe duhet të dish të sillesh me të. Janë edhe shumë gjëra të tjera për të cilat trajnerit i duhet të merret me to dhe të marrë më të mirën nga skuadra”
Po si e ka parë Kotrri këtë start të kampionatit? Ai shprehet: “Fitorja 5-3 në Laç na ka befaasuar. Nuk besoj se ka për të ndodhur më që Laçi të pësojë 5 gola në një ndeshje dhe padyshim që në këtë mes, Vllaznia ka meritën e saj.
Por nëse në pjesën sulmuese skuadra shkodrane u shfaq në lartësinë e duhur, nuk mund të themi të njëjtën gjë për mbrojtjen. Kemi pësuar 6 gola në dy ndeshje (3 në Superkupë ndaj Teutës dhe 3 ndaj Laçit) dhe padyshim që kjo shifër është e madhe për një ekip pretendent. Prandaj dhe stafit i duhet të rregullojë diçka në këtë drejtim sepse nuk duhet lejuar kaq shumë gola”./SHKODRA-SPORT.COM/