E ka paralajmëruar se edhe Vllaznia do të ketë ulje-ngritjet e saj dhe në fakt tashmë kjo gjë ka ndodhur. Redi Jupi në rolin e analistit, ka folur sërish në “Procesi Sportiv” dhe duke diskutuar për skuadrën shkodrane, ka thënë:
“Do të vinte ky moment për Vllazninë sepse do të ishte jonormale që ajo të vazhdonte gjatë gjithë kohës me atë ecuri shumë të mirë. Humbja këtë javë me Laçin, futet në ato ndeshje që duan një reagim.
Në një sezon të rëndësishëm siç është ky sezoni i Vllaznisë, ajo demostron forcën e saj kur di të kthehet sërish në nivele të larta.
Atë e favorizon deri diku edhe kalendari sepse ka dy ndeshje përgjithësisht të lehta në letër, ato me Apoloninë dhe Skënderbeun dhe është moment shumë i favorshëm për skuadrën për t’u rikthyer sepse në këto momente duhet rezultati, por duhet edhe ajo loja e mirë me të cilën na mësuan këtë sezon.
Një lojë fluide që i vinte në vështirësi të gjithë kundërshtarët, një lojë me një përgatitje të lartë fizike e atletike me të cilën Vllaznia vinte në vështirësi ekipet e tjera.
Kjo skuadër sa herë që nuk ka luajtur me formacionin e saj më të mirë, nuk ka dhënë atë që pritej. Ndoshta edhe ngaqë nuk ka kontigjent të mjaftueshëm lojtarësh dhe në këto tre javët e fundit, zëvendësimet nuk kanë dhënë atë që pritej.
Gjithsesi kjo gjë është e rikuperueshme sepse tashmë edhe kalendari vjen e lirohet disi. Ndeshjen e rradhës e kanë në fundjavë dhe kanë mundësi për të rikuperuar edhe nga ana fizike. Vllaznia e ka në dorë vetë të ngrihet apo jo.
Një skuadër e mirë e tregon këtë gjë në momentin e duhur dhe Vllaznia duhet të ngrihet sërish në nivelet që ishte më parë. Jam i bindur se skuadra shkodrane do të arrijë t’i tregojë sërish vlerat e saj edhe në javët e ardhshme”- ka thene Jupi./SHKODRA-SPORT.COM/