Barazimi ndaj Kastriotit i prishi jo pak punë Vllaznisë në pamje të parë, por për fat, ndjekëset e saj kanë barazuar dhe kësisoj kanë ruajtur të njëjtën diferencë me ta. Në Shkodër janë mërzitur shumë me këtë rezultat, por në fakt, analisti Redi Jupi e ka konsideruar deri diku edhe normale këtë ndalesë. Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” ku është shprehur:

“Në një javë që Vllaznia stopohet dhe ishte një stopim logjik sepse luajti me një skuadër të fortë si Kastrioti me të cilën do të humbin pikë edhe skuadrat e tjera, të gjithë ngelën në vend-numëro.

Në javën e 16-të nuk pati asnjë lëvizje për kreun, pati disa lëvizje për zonën e Kupave të Europës siç janë Kukësi apo Laçi.

Vllaznia pati një ndeshje të vështirë dhe natyrisht që ishte edhe merita e kundërshtarit që i mori barazimin sepse luajti shumë kompakt, shumë i qartë dhe kjo falë mënyrës si e kishte ndërtuar lojën trajneri Ndreu.

Skuadra shkodrane ndërkohë nuk kishte një gjendje optimale të disa prej lojtarëve të saj të cilët janë të rëndësishëm për të dhe i kanë dhënë shumë pikë në javët e kaluara. Dilaver ishte në një ditë jo shumë të mirë, mbase edhe Hoxhaj nuk ishte në ditën e duhur, treshja e mesfushës pak pa ritëm.

Po ashtu nuk më pëlqeu as lojtari braziliani që u fut në pjesën e dytë, Da Silva i cili në vend që të rriste cilësinë e skuadrës, e uli shumë atë.Të gjitha këto bënë që Vllaznia të mos shkonte më shumë sesa barazimi në këtë ndeshje.Megjithatë atë e favorizuan rezultatet e rivalëve dhe prandaj arriti ta ruante diferencën me ta”- ka deklaruar Jupi./SHKODRA-SPORT.COM/