Karlo Ançeloti ka pranuar me shpejtësi ofertën që i ka ardhur nga Real Madrid, por puna në klubin spanjoll pas rikthimit ka filluar me një telash jo edhe aq të vogël.
Klubi ka zyrtarizuar Antonio Pintus si kreun e përgatitësve fizike duke e rreshtuar përkrah Ançelotit. Por pjsea tjetër e stafit mbetet e hapur për shkak të djalit të trajnerit italian.
Tekniku ka bërë të qartë se kërkon që numri 2 në hierarkinë e stafit teknik të jetë djali i tij, 31-vjeçari Davide i cili në vitet e fundit e ka ndjekur hap pas hapi në aventurat e tij në Gjermani, Itali e Angli.
Te Napoli dhe të Everton atij iu dha mundësia të jetë trajner i dytë, por Reali ka pretendime sa i përket kësaj teme.
Klubi i ka kërkuar Ançelotit që të pranojë që i dytë të jetë një “i shtëpisë”. Ndaj është kontaktuar Alvaro Arbeloa, i cili ka edhe licencën UEFA Pro për të drejtuar, ndërsa nuk hidhet poshtë as hipoteza e afrimit të Raul nga ekipi i dytë i madrilenëve për ta rreshtuar përkrah Ançelotit.
Megjithatë, trajneri do të kërkonte pak më shumë lirshmëri pa njerëz të afërt me klubin në staf, duke menduar se ata ndikohen nga Perez dhe do të preferonte të ishin më shumë si “ciceronë”, siç veproi vetë Zidan në vitin kur fituan Ligën e Kampioneve, teksa shërbente vetëm si pikë lidhje mes klubit dhe trajnerit. /vipsport/