Ish- lojtari i kombëtares shqiptare Andi Lila e ka vlerësuar maksimalisht ecurinë e sivjetme të Vllaznisë duke i thurur elozhe të gjithë drejtuesve të saj, stafit teknik por edhe lojtarëve.

Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” dhe duke folur në lidhje me skuadrën shkodrane është ndalur edhe tek kapiteni Gurishta, për të cilin u ka bërë thirrje stafit të kombëtares ta grumbullojnë sa më shpejt në rradhët e saj.

“Vllaznia po na tregon të gjithëve sesa mirë po luan futboll. Po na tregon të gjithëve sesa mirë është simbioza në mes Bashkisë dhe drejtuesve të klubit. Zonja Voltana Ademi ka bërë një punë të shkëlqyer sivjet. Të gjithëve na kujtohen rastet kur njerëz të ndryshëm futeshin në fushë dhe kërcënonin trajnerët e kështu me rradhë.

Nga një pësim, ata e kanë bërë sot mësim dhe ja ku janë. Vllaznia është në vendin e parë, po luan futbollin më të mirë, ka marrë një trajner të huaj, ka marrë një zëvendëstrajner të mrekullueshëm.

Ka një kapiten si Gurishta për të cilin i them trajnerit të kombëtares dhe skautëve të kombëtares që të hapin sytë sepse duhet ta grumbullojnë këtë djalë në kombëtare sa më shpejt.Gurishta është një lojtar me shumë vlera, ka personalitet dhe e meriton të jetë në kombëtare./SHKODRA-SPORT.COM/