Italia do luajë sot një ndeshje shumë të rëndësishme në kuadër të kualifikueseve Katar 2022. Të kaltërit do kenë përballë Zvicrën dhe në një kuotë të barabartë pikësh me helvetët nga 14 secila kombëtare, për kampionët e Europës është e ndaluar fjala humbje.
Kjo për të mos i komplikuar gjithçka vetes dhe për të rikthyer “fantazmat” e Suedisë ku Italia u eleminua në Play Off të botërorit 2018. Ngjarje të tilla nuk duan ti përsërisin tek “azurret” të cilët ndeshjen që zhvillohet sonte në “Olimpiko” të Romes e shohin si finale.
E ky takim është një ripërsëritje e ndeshjes në grupe që patën dy skuadrat në Euro 2020. Ndeshje ku Italia fitoi me rezultatin 3-0. E duke qenë si italianët janë supersticiozë kanë vendosur që lojtarët të mbajnë në shpinë të njëjtët numra si në ndeshjen e europianit dhe të vendosen në dhomën e zhveshjes identik si në fitoren 3-0.
Një vendim shumë supersticioz ky, por asnjëherë i çuditshëm për italianët që shquhen për veprime të tilla. Duket se Mancini do që të “luajë” çdo “mundësi” për të triumfuar edhe sonte kundër Zvicrës e të kualifikohet zyrtarisht në Botërorin 2022.
Endri ÇINARI