Kridens Meta në vitet e fundit ka marrë nofkën e “gjyqtarit anglez”, pasi lejon që të zhvillohet një lojë më e fortë sportive duke mos vërshëllyer faulle e dhënë kartonë në çdo moment. Por në ndeshjen e sotme mes Laçit dhe Partizanit ai ka vendosur të bëhet “angelez” aty ku nuk duhet, pasi ka justifikuar si luftë të fortë sportive, të paktën dy faulle të dukshme që duheshin dhënë penallti për skuadrën e Partizanit.
Që në pjesën e parë të ndeshjes, të kuqtë me të drejtë protestuan kundër gjyqtarit, pasi në minutën e 31-të, Ignjatoviç shtyn me forcë Çinarin duke e rrëzuar në zonë, ndërsa sulmuesi i Partizanit ishte në kontroll të topit. Meta dhe asistenti i tij bëjnë shenjë që loja të vazhdojë, mes mosbesimit të sulmuesit të Partizanit që kërkonte goditjen nga pika e bardhë.
Edhe në minutën e 66-të përsëritet i njëjti duel, me kapitenin e Laçit që i vë bërrylin Çinarit dhe e rrëzon në tokë, ndërsa ky i fundit po shkonte drejt topit. Edhe në këtë rast, Meta bën “anglezin” në momentin e gabuar dhe lejon lojën që të vazhdojë.