Në gati një shekull e gjithë bota ka ndryshuar… Por në rastin e futbollit nuk mendohej se pikërisht një ekran i vogël do të kishte në dorë ekonominë dhe mbijetesën e shumë skuadrave, qofshin këto të mëdha apo të vogla.

Sot e kësaj dite, në periudhën e koronavirusit, pikërisht lufta dhe gjetja e një mënyrë për të rifilluar dhe përfunduar në çdo mënyrë kampionatet dhe turnetë UEFA bëhet pikërisht për të mos grisur kontratat e nënshkruara në fillim të sezonit dhe për të mos humbur miliona eurot që të gjitha klubet në Europë, por edhe në botë presin që të marrin nga kësti i tretë sezonal.

Gjithsesi, dita e sotme shënon pikërisht atë datë historike që nënvizon lindjen e transmetimeve të ndeshjeve të futbollit në televizor. Pikërisht më 9 prill të vitit 1938, ai që vendosi të vërë kamerat në fushë dhe t’i dhurojë sportdashësve që ta ndjekin edhe nga televizioni një takim, ka qenë rrjeti anglez “BBC”.

Nga ndeshja e parë që “luhej brenda ekranit” kanë kaluar saktësisht 82 vite dhe protagonistët ishin Anglia e Skocia, e mbyllur me fitoren 1-0 të këtyre të fundit, duel i vlefshëm për turneun “Inter-britanik”.