Vllaznia nuk po kalon një situatë normale. Tre lojtarë dhe zv.trajneri kanë rezultuar pozitivë me “COVID-19”, duke shtuar ankthin në radhët e shkodranëve. E megjithatë, mendon Zyhdi Çoba që të qetësojë shkodranët.
Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, doktori i kuqebluve dhe njëherësh një personalitet në fushën e mjekësisë sportive në vendin tonë, zbulon gjendjen e të prekurve nga virusi dhe zbulon masat që kanë marrë për të parandaluar përhapjen.
Klubi ka dezinfektuar që të gjitha ambientet dhe njëherësh janë testuar edhe 15 lojtarë të tjerë për të qenë të qetë. Edhe pse përgjigjet nuk kanë ardhur ende, mjeku nuk beson se numri i të infektuarve do të rritet.
Doktor, si është situata te Vllaznia?
Mund të them se situata nuk duket shqetësuese. Pavarësisht se rezultuan pozitivë tre lojtarë dhe tekniku Plori, po e kalojnë pa komplikacione. Janë në gjendje të shëndetshme dhe mund të them që Gurishta është drejt përmirësimit.
Si precipitoi gjithçka deri në këtë pikë?
Kjo është një sëmundje ngjitëse dhe dihet që ne punojmë në grup. Pas Gurishtës ishin edhe Imami dhe Plori që u shtuan në listë. Shenja patën edhe U.Hoxha me Ramadanin, por ky i fundit doli negativ. Tani po bëjmë çmos që të ruajmë pjesën tjetër.
Dhe çfarë masash keni ndërmarrë për të tjerët?
Ne kemi testuar afro 15 lojtarë, plus trajnerë dhe ndihmëstrajnerë. U dezinfektuan që të gjitha ambientet ku ekipi stërvitet dhe po përdoren masat. Por në kushtet që një skuadër stërvitet, është e vështirë që të mbahet. E megjithatë, nuk kemi zgjidhje.
Për këto 15 lojtarë që përmendët, a ka një përgjigje?
Mund të them se ende nuk ka një përgjigje, por unë jam optimist. Nuk besoj se do të ketë përhapje. Të gjithë ne, stafi mjekësor dhe ai teknik, po mundohemi që të respektojmë të gjitha rregullat e pandemisë. Por në kushtet e një skuadre, është pak e vështirë.
A do ta kalojë Vllaznia pa pasoja të mëdha këtë situatë?
Mendoj se po. Ne po punojmë për këtë gjë. Laboratorët dhe specialistët përkatës janë duke na qëndruar shumë afër që çdo rast dyshimi të ekzaminohet menjëherë. Ne po mundohemi të respektojmë masat tona, por jo gjithçka varet nga ne.