Ante Aralica po vuan mungesën e golit në këtë pjesë të dytë të sezonit. Sulmuesi kroat nuk arriti të shënonte as sot ndaj një ekipi si Flamurtari, teksa kishte disa raste për të shënuar.
Në fakt, Aralica ka disa ndeshje që nuk po gjen golin, por shpresohet shumë që në vazhdim. që në ndeshjen e rradhës ndaj Teutës, të lërë pas këtë fat të keq dhe të rikthehet të shënojë për Vllazninë.
Faktikisht, skuadra e Vllaznisë ka pasur probleme gjatë kësaj kohe në aspektin e sulmit dhe lojtarët si Aralica nuk po bindin. Sot ndaj Flamurtarit, Aralica u pa nervoz gjatë gjithë lojës, duke mos dhënë më të mirën e tij. Me sa duket, ai po e vuan mungesën e golit shumë dhe kur i krijohet ndonjë mundësi, as ai vetë nuk di si të veprojë.
Ekipi i Brdariç ishte një nga zbulimet e sezonit në fazën e parë, por tani ka pasur vështirësi për të mbajtur të njëjtin hap. Në gjashtë ndeshje, përfshirë kampionatin dhe kupën së bashku, skuadra ka koleksionuar tre fitore, dy barazime dhe një humbje, teksa problemet kanë qenë të shumta në repartin e avancuar.
Edhe në ndeshjet e fundit që janë luajtur, golat janë shënuar nga mesfushorë: Krymi, Latifi dhe Mustedanagiç.
Vllaznia është një skuadër e fortë dhe jo e lehtë për t’u mundur, por sigurisht që për të synuar Europën ose edhe titullin kampion, duhet të ketë në fushën e lojës lojtarë cilësorë në repartin e sulmit.
Në ndeshjen e ardhshme, ekipi i Brdariç duhet të përmirësojë ecurinë në sulm për të arritur fitoren ndaj Teutës. Shkodranët duan të përfitojnë nga momenti i vështirë që po kalojnë durrsakët, teksa në katër javët e fundit kanë një fitore dhe tre humbje.
Maringlen ZHIVANI