Një moment tensioni i lartë ka shënuar minutën e 70-të të supersfidës Inter–Napoli, e zhvilluar në “San Siro”, ku protagonisti negativ ishte trajneri i napolitanëve, Antonio Conte. Pas një rishikimi në VAR, arbitri Daniele Doveri akordoi penallti për Interin, duke gjykuar se Amir Rrahmani kishte kryer faull ndaj Henrikh Mkhitaryan. Vendimi ndezi menjëherë pankinën e Napolit dhe veçanërisht Conten.
Tekniku humbi kontrollin, duke protestuar ashpër dhe duke goditur me forcë një top, të cilin e largoi shumë nga zona teknike. Reagimi i tij u konsiderua i papranueshëm nga drejtori i ndeshjes, i cili nuk hezitoi t’i tregonte kartonin e kuq. Por episodi nuk përfundoi aty.
Conte u përplas verbalisht edhe me arbitrin e katërt, duke shkuar “fytyrë më fytyrë” me të dhe duke refuzuar të largohej menjëherë nga fusha. Gjatë daljes, ai u dëgjua disa herë teksa bërtiste me zë të lartë: “Vergognatevi, vergognatevi tutti” (“Turp, turp për ju të gjithë”), në drejtim të treshes arbitrale. Pamjet televizive kapën qartë nervozizmin ekstrem të trajnerit, i cili u shoqërua jashtë fushës mes vërshëllimave dhe reagimeve të publikut.
Ngjarja ka hapur polemika të forta pas ndeshjes, me Napolin që ndien se është dëmtuar nga vendimet arbitrale, ndërsa Interi ka përfituar nga episodi për të marrë avantazh në një duel vendimtar për kreun e tabelës. Tani pritet raporti zyrtar i arbitrit dhe vendimi i gjykatës sportive, që mund t’i sjellë Contes një pezullim të rëndë në javët në vijim.


