Përballja e të kundërtave në Apolonia-Vllaznia, euforia e një skuadre që përjeton një sezon ëndrrash dhe sapo ka prekur edhe një ndër objektivat kryesorë finalen e Kupës, përballë një Apolonia gjithnjë e më pranë fundosjes.

3 humbje në 3 ndeshjet e fundit kanë thelluar krizën në kampin fierak ku në këtë fazë të fundit ju duhet të rikuperojnë plot 9 pikë ndaj vendit të tetë për të shpresuar mbijetesën. Mision në kufijtë e së pamundurës ndaj dhe te Apolonia shohin ndoshta shanset e fundit për të mbajtur gjallë shpresën.

Vllaznia shkon në Loni Papuçiu në humor diametralisht të kundërt, skuadra ndaj Laçit dhuroi një provë të vërtetë force, në aspektin taktik dhe atë të karakterit, por tanimë me vëmendjen të kthyer nga kampionati, duke patur parasysh kundërshtarin dhe rrethanat në këtë sfidë i bëjnë punë vetëm 3 pikët.

Apolonia pavarësisht kualifikimit nuk është një kundërshtar i lehtë, përkundrazi, e aq më tepër ndaj ekipeve si Vllaznia që të lejojnë të luash, me skuadrën e Camaratës që do të shprehet dhe mund të bëhet e rrezikshme, siç ndodhi edhe në përballjen e fundit mes dy skuadrave në Shkodër.

Një leksion ky për tu mbajtur mend nga skuadra e Brdaric, në kampin fierak ndërkohë pavarësisht vështirësisë së sfidës apo pozicionimit në klasifikim të kundërshtarit, edhe pse mbeten edhe 9 javë deri në fund të kampionatit, kjo përballje është ndoshta një stacion i fundit për t’u kapur pas trenit të mbijetesës, pasi një shkëputje e mëtejshme e Bylis, skuadër me të cilën do të ndeshen në takimin pasardhës mund ti japë goditjen përfundimtare shpresave fierake.

Në sfidën e fundit ndaj Teutës, përveç Agire dhe Omerit të dëmtuar, nuk ishin edhe Mehmeti, Zaimaj, Krasniqi dhe Ehjoh, dhe mbetet për t’u parë nëse do të ketë një rikthim të tyrin në skuadër apo bëhet fjalë për një dënim të lojtarëve nga ana e klubit.