Vllaznia nuk po kalon aspak një formë të mirë së fundmi dhe këtë e vërteton edhe barazimi i fundit kundër Kastriotit në shifrat 2-2. Për këtë sfidë ka bërë analizën e tij dhe Arbër Shytani. Ish-mbrojtësi që tashmë në rolin e trajnerit tek Djelmnia thekson në komentin e tij se kuqeblutë nuk e interpretuan si duhet vendosjen në fushë. Po ashtu ai thekson se vetëm fitorja vlen në këto momente ku ndodhet skuadra.

Shytani tha: “Analizën e ndeshjes kundër Kastriotit dua ta filloj që nga vendosja në fushë, ose më saktë rreshtimi i ekipit. Ishte një rreshtim me 3-5-2, ku kishim 3 mbrojtës qëndror dhe dy nga krahët. Në krahun e majtë Hakaj dhe atë djathtas ishte Çoba. Të dy këta lojtarë duhet të zbrisnin poshtë në fazën kur ekipi mbron.

Hakaj e ka më të natyrshme këtë pjesë e ndërsa nuk mund të them të njëjtën gjë për Çobën. Që është sulmues krahu dhe nuk është në cilësitë e tij më të mira pjesa për të mbrojtur. Ndoshta ishte zgjedhje e detyruar e trajnerit duke parë edhe mungesat në krahun e djathtë të Gurishtes dhe Smajlit. Po ashtu goli i parë i pësuar, skuadra gjendet e pa përgatitur. Pasi në një sulm krejt gradual, me shumë stacione, Kastrioti e gjen Vllazninë me dy mbrojtës.

Ndërsa vetë krutanët kishin 3 lojtarë në zonën shkodrane. Kjo është e papranueshme sepse minimalisht duhet të kesh 1 lojtar më shumë se kundërshtari kur ti po mbron. E këto janë gabime që nuk duhet të ndodhin. Për skuadrën vetëm fitorja vlen në këto momente. Nuk ka asnjë fjalë apo mënyrë tjetër. Loja tashmë lihet në plan të dytë dhe vetëm suksesi sjell qetësi tek skuadra.

Jemi të gjithë koshientë se Vllaznia e këtij sezoni është pa stabilitet. Ekipi nuk ka prodhuar 3 ndeshje pozitive rradhazi. Tani momenti është të shihet në këto ndeshje që kanë ngelur. Skuadra duhet të gjejë reagimin dhe të plotësojë objektivat minimalë që kanë drejtuesit. Ndryshe do jetë një sezon i dështuar në fundin e tij”.
Endri ÇINARI