Ardit Hoxhaj riktheu buzëqeshjen te Vllaznia, teksa me golin e tij ndaj Kastriotit në minutat e fundit, i dha fitoren shkodranëve, e cila i ngjiti përsëri ne vendin e parë. Futbollisti ka folur për “Zona Gol”, teksa është shprehur se gjatë kësaj periudhe ka menduar edhe ofertën e janarit, duke menduar se nuk u larguar. Gjithashtu ai u shpreh se nuk e ka kuptuar gjobën nga klubi.
“Më kishte munguar goli, më vjen mirë që erdhi në fundin e ndeshjes sepse kështu e shijon më shumë. Megjithatë më shumë jam i lumtur për fitoren e skuadrës.
Festa? Ne festuam sepse prej një kohe të gjatë ishim përfshirë nga një valë rezultatesh jo të mira. Festa nuk kishte fare lidhje me Kastriotin, nuk ishte as hakmarrje për barazimin në fazën e dytë. Edhet ata festuan kur barazuan me ne dhe askush nuk u ankua.
Ka qenë një periudhë e vështirë kjo që kemi kaluar. As nuk po e kuptonim se çfarë po ndodhte, prodhonim raste dhe nuk fitonim dot. U duk se edhe entuziazmi i fillimit erdhi duke u zbehur. Shpresoj ta kemi hedhur pas krahëve.
Gjobat? Nuk i kuptova gjobat. Ndoshta kjo vjen për shkak se drejtuesit janë të rinj, pa shumë përvojë, por nuk e kuptova si mund të merrnim gjobë kur ishim vetëm 2 pikë nga vendi i parë.
Oferta në janar- Të them të drejtën, kishte momente kur përfshihesha në dilema dhe thoja: mos bëra gabim qe nuk e pranova ofertën nga Turqia? Por tani them se kam bërë mirë, sepse besoj se kjo Vllazni mund të bëjë gjëra të mëdha dhe me gjëra të mëdha nuk nënkuptoj vetëm titullin, por edhe një vend në Europë, duke parë se nga e nisëm”, tha Hoxhaj.