HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREArdit Krymi: Partizani më kërkoi për 4 vite, pse s’ika nga Shkodra...

Ardit Krymi: Partizani më kërkoi për 4 vite, pse s’ika nga Shkodra 24

Ardit Krymi është sh tylla e mesfushës së Vllaznisë dhe të dielën do të luajë një ndeshje jubilare ndaj Kukësit, pasi do të jetë e 200-ta për të në kampionatin shqiptar. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 25-vjeçari tregon detaje të pathëna nga karriera e deritanishme.

Ai zbulon se Partizani e ka kërkuar katër sezone radhazi, ndërsa në rolin e tij e frymëzon ish-mesfushori i Spanjës, Ksabi Alonso. Krymi beson shumë te titulli kampion këtë sezon.

“Të them të drejtën kur kam nisur të luaj me ekipin e parë në vitin 2014, në fillim nuk e mendoja që do të arrija këto nivele, duke parë emrin që ka Vllaznia. Ishte një ëndërr për mua, siç normalisht është për çdo të ri në këtë qytet. Vllaznia është ekipi i zemrës dhe kur mendoj që kam luajtur kaq shumë ndeshje me këtë fanellë ndihem i lumtur dhe për më tepër krenar”- thote ai.

Cili ka qenë viti kur keni menduar largimin nga skuadra e zemrës?

Të them të drejtën kur më përfundoi kontrata mendova largimin, pikërisht para dy sezonesh. Mendoja që nuk do të ndryshonin gjërat dhe do të rrinin siç kishin qenë, por më bindi një telefonatë e presidentit Alban Xhaferi. Pasi fola shumë gjatë me të firmosa kontratën e re. Jam i lumtur, sepse Xhaferi ka sjellë një ndryshim shumë të madh te Vllaznia.

Në këto 7 vite aktivizim me Vllazninë, kush kanë qenë klubet e tjera që kanë insistuar për të marrë shërbimet tuaja?

Mund të them se më ka kërkuar Partizani për katër vite rresht. Gjithashtu edhe oferta e Skënderbeut ka qenë shumë e kënaqshme. Bëhet fjalë për atë sezonin që kemi zbritur nga Superiorja, por unë sërish preferova Vllazninë dhe luajta me të edhe në Kategorinë e Parë.

Çfarë doni të arrini tashmë me fanellën e Vllaznisë ose më saktë çfarë ëndërroni?

Ëndrra ime është titulli kampion. Kupën e kam fituar, por këtë sezon do të bëjmë gjithçka për të fituar edhe titullin.

Kush ka qenë ndeshja që nuk do ta harroni kurrë në jetën tuaj?

Mendoj se ka qenë ndeshja me Tiranën, në sezonin që diskutohej kush do të zbriste në Kategorinë e Parë. Aty kishim një presion të paparë. Në stadium kishte mbi 11 mijë tifozë dhe kishte shumë rëndësi për Shkodrën. Atë ndeshje e nxorëm si mos më mirë, pavarësisht që ndodhi që vitin tjetër zbritëm ne nga kategoria. Edhe sot gjej rastin që Shkodrës dhe tifozëve t’i kërkoj shumë të falur për atë sezon.

A keni ndonjë peng deri tani nga karriera?

Pengu më i madh është viti që kemi rënë në Kategorinë e Parë. Të them të drejtën nuk e kam marrë vesh kurrë se si arriti të ndodhte ajo gjë, me të gjithë ata lojtarë të mirë që kishim në përbërje. Tek unë personalisht dhe familja ime, ka ndikuar shumë ajo situatë, që duhet harruar gjithsesi. Në futboll nuk duhet të dorëzohesh kurrë, por duhet shumë forcë, punë dhe durim. Edhe një herë i kërkoj shumë të falur tifozëve të Vllaznisë dhe mbarë Shkodrës për atë sezon.

Çfarë ambicieje keni për të ardhmen, në cilin kampionat do të dëshironit të luanit?

E kam theksuar shumë herë edhe kam qejf që premtimin ta mbaj, pasi objektivi im është që të luaj jashtë Superligës. Nëse nuk bëhet e mundur, do ta mbyll karrierën te Vllaznia, gjithmonë me synimin që të fitoj sa ma shumë trofe me ekipin që më rriti dhe e kam në zemër.

Cili është lojtari që ju ka frymëzuar për rolin e mesfushorit shkatërrues?

Për pozicionin që kam, gjithmonë kam dashur që të jem si Ksabi Alonso. Mendoj se për atë pozicion, vështirë të vijë më si ky futbollist.

Cila është skuadra që bëni tifo në futbollin botëror?

Jam tifoz me Milanin. Më ka pëlqyer përherë si skuadër.

Të dielën luani me Kukësin. Sa besoni se do të vijoni serinë e fitoreve?

Mendoj që ekipi është ndërtuar për kampion. Unë mendoj se ky do të jetë viti ynë. Me Kukësin është një ndeshje ndryshe, në krahasim me atë kundër Dinamos. Do të japim maksimumin për të dalë me 3 pikë nga kjo sfidë

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments