Aktivizimi i tij në Lajpcig, në minutën e 89-të, në vend të Komanit, bëri të mundur që Arjen Roben të luante ndeshjen e tij të 200-të në Bundesligës. I mungoi vetëm një gol dhe mbeti në kuotën e 98 golave në Bundesligë për rekordmenët e Gjermanisë.
Në ndeshjen e mbetur të kampionatit, 35-vjeçari ka ende shans për të arritur shifrën e 100 golave. Pastaj përfundon karriera e tij në Mynih. Plot një dekadë, 10 vite, pas së cilave holandezi fluturues nuk e di se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tij.
“Faktikisht, unë dua të vazhdoj të luaj ende, por nuk do ta bëj në rast se më ndodh përsëri një dëmtim që do të më mbajë për pesë muaj larg fushe, apo shqetësime të vogla që do të më pengojnë të luaj”, thotë Roben gjatë një interviste për revistën “Kicker”.
“Unë mund të vazhdoj të luaj edhe për katër apo pesë vite të tjera, por në rast se nuk do të kem probleme me dëmtimet”. Javën e shkuar, Roben u rikthye në fushë në fitoren 3-1 ndaj Hanoverit, mes duartrokitjeve të publikut të “Allianz Arena”-s. Duhet thënë se pavarësisht luftës me kohën, ai kishte menduar edhe më të keqen, se nuk do ta vishte më fanellën e Bajernit.
Ishin emocione të përziera për kampionin bavarez, mes frikës dhe shpresës për të luajtur edhe një herë me klubin që fitoi gjithçka. “Ndonjëherë isha i dëshpëruar, por kjo është normale. Isha dy apo tri herë përpara derës së skuadrës, por ajo nuk u hap”, shton Roben. “Më pas rashë nga shkallët tri herë të tjera, ishte një kohë e vështirë”.
E ARDHMJA – Nëse do të vazhdojë të luajë futboll edhe pas këtij sezoni, Roben nuk mund ta thotë ende. “Kur je mësuar gjatë gjithë karrierës që të luash në nivelet më të larta, për titullin, nuk e di nëse do të pranoja që të vazhdoja të luaja për një skuadër që luan për vendin e gjashtë apo të tetë”, thekson njeriu me numrin 10.
Por për një si ai, edhe në këtë moshë, ofertat nuk mungojnë asnjëherë: “Ka shumë alternativa, në Europë edhe jashtë saj”. Disa vite më parë, ai foli edhe për një kapërcim të Oqeanit Atlantik. “Po, është e vërtetë që pata oferta nga SHBA. Kinën e përjashtoj. Të gjitha kanë avantazhet dhe disavantazhet e tyre. Por, është një vendim që duhet të merret me bindje të plotë”.