Nga Maringlen ZHIVANI
Fitorja 0–3 në Kompleksin “Partizani” mbetet një nga paraqitjet më autoritare të brezit kuqeblu të sezonit 2004–2005. Pa asnjë mëdyshje, ai ishte një brez i artë i futbollit shkodran. Një grup futbollistësh me talent, disiplinë dhe mentalitet fitues, që lanë gjurmë të qarta me fanellën e Vllaznisë U-19, duke u përballur dhe triumfuar edhe ndaj rivalëve më të fortë të kohës.
Fotoja i përket një ndeshjeje të zhvilluar në Tiranë, në Kompleksin “Partizani”, ku Vllaznia U-19 regjistroi një fitore të thellë dhe bindëse 0–3 ndaj Partizanit U-19. Një sukses që edhe sot kujtohet si një nga paraqitjet më dominuese dhe më cilësore të asaj skuadre. Sa i takon formacionit në foto, janë në këmbë, nga e majta: Olti Bishani, Saidi Guri, Alsid Tafili, Haris Lika, Gilman Lika dhe Landi Kuka. Ndërkohë, poshtë, nga e majta: Edmir Beqiri, Mirsad Aleti, Valdano Nimani (kapiten), Florjan Ibrahimi, Klodian Semina.
Vlen të theksohet se disa lojtarë, si portieri Bishani, Alsid Tafili dhe Gilman Lika, ishin pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë dhe iu bashkuan skuadrës U-19 posaçërisht për këtë përballje, duke rritur ndjeshëm cilësinë dhe eksperiencën e ekipit në një ndeshje të konsideruar shumë të vështirë. Kjo përballje mbetet me një peshë të veçantë, pasi ishte e vetmja ndeshje e zhvilluar me këtë grup.
Tre futbollistë si Olti Bishani, Alsid Tafili dhe Gilman Lika erdhën nga ekipi i parë pikërisht për këtë duel, në një kohë kur Partizani konsiderohej një nga skuadrat më të forta dhe më konkurruese të kampionatit, me emra si dyshja Edvan Bakaj-Elis Bakaj, Erando Karabeci apo edhe sulmuesi i njohur, Enco Malindi. Vllaznia e dominoi takimin nga fillimi në fund dhe konkretizoi superioritetin me tre gola të shënuar nga Haris Lika, Edmir Beqiri dhe Valdano Nimani.
Një fitore e pastër dhe e padiskutueshme, që konfirmoi nivelin, potencialin dhe karakterin e këtaj skuadre. Ky triumf mbetet një faqe e artë në historinë e akademisë së Vllaznisë dhe një dëshmi e qartë e punës cilësore që prodhoi një brez me vlera të spikatura për futbollin shkodran.
Detaje të ndeshjes:
Sezoni: 2004–2005
Trajner i Vllaznisë U-19: Ismet Hoxha
Ndeshja: Partizani U-19 – Vllaznia U-19
Vendi: Kompleksi “Partizani”, Tiranë
Rezultati: 0–3
Golat: H. Lika, Beqiri dhe Nimani


