Shqipëria është pushtuar nga ethet e fushatës zgjedhore. Në 25 prill shqiptarët do iu drejtohen qendrave të votimit, ndërsa duket se edhe kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka zbritur në terren.
Anëtari i Partisë Agrare Ambientaliste, Arben Tafaj ka zbuluar një takim që ka pasur me kreun e FSHF-së, teksa njofton se kanë lidhur “besa-besën” se bashkë me të gjelbërtën fiton edhe futbolli. I vëllai i Armand Dukës, Agroni është kreu i Partisë Agrare-Ambientaliste të Shqipërisë.
“Të gjelbrën dhe ambjentalizmin, me sportin nuk i ndan asgjë! Sot me Presidentin e Federatës së Futbollit Shqiptar Z. Armando Duka lidhim “besa-besë”: Me NE nesër në pushtet, më pak kulla dhe beton, e më shumë hapsira të gjelbërta për ambjente sportive.
Ku rinia krahas ngritjes cilësore të futbollit shqiptar së pari t’i shërbejë vetvetes, me më shumë ajër, dritë dhe jetë, larg sjelljeve dhe veseve të këqija! Më 25 prill…. FITON SHQIPËRIA Fiton edhe ti”, shkruan Tafaj./newsport/