Sulmuesi me origjine nga Malesia e Madhe- Armando Broja po bind gjithnjë e më shumë se është gati për të qenë protagonist kryesor në futbollin anglez.

Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare i ka bërë një start të mirë këtij sezoni me ekipin e Sauthempton dhe sot iu afrua shumë golit me një shtyllë të goditur, por edhe një gjuajtje me kokë që u shpëtua në vijën e portës në sfidën ndaj Uest Hem.

Për lojtarin shqiptar nuk kanë munguar vlerësimet dhe thuajse të gjithë janë të bindur se duhet të ketë shansin e tij të tregojë vlerat që në ndeshjen e javës së ardhshme ndaj Mançester Sitit.

“Hampshire Live”, portali kryesor lokal i Sauthempton, në notat për ndeshjen e sotme, i ka vendosur 9 Brojës për vetëm 18 minutat e tij në fushën e lojës, vlerësim i rrallë dhe padyshim i më i larti në ekip.

”Është elektrizues! Nëse kjo është ajo që duhet të presim nga Armando Broja këtë sezon, atëherë duhet të jeni shumë, shumë të entuziazmuar. Prekja e tij e parë e pa të kalonte Ogbona, duke çuar nivelin e volumit në stadium, para se mundësia e tij e dytë me topin në këmbë e pa të godiste shtyllën.

Brilante nga 20-vjeçari i cili tani i ka dërguar një mesazh të qartë Ralf Hasenhutl”, shkruante portali i njohur lokal i cili i kushtohet klubit.

Një mesazh i qartë që është përçuar zëshëm në rrjetet sociale ku tifozët e Sauthempton praktikisht kanë “urdhëruar” klubin që të aktivizojë Brojën titullar që në ndeshjen e radhës, me postime të panumërta në Twitter për futbollistin shqiptar.