Edhe Kombëtarja e Shqipërisë U-19 ka nisur prej ditës së mërkurë përgatitjet për dy ndeshjet miqësore ndaj Malit të Zi U-19, teksa kuqezinjtë e drejtuar nga Armando Cungu po stërviten prej dy ditësh në Ulqin, atje ku janë grumbulluar para sfidave. Trajneri shkodran ka në dispozicion 23 futbollistë, me 13 prej tyre që aktivizohen jashtë vendit.
Në një intervistë, trajneri i kuqezinjve shprehet se këto dy miqësore të rëndësishme janë një mundësi shumë e mirë për të konsoliduar grupin kuqezi, që do të përfaqësojnë Shqipërinë në eleminatoret e Europianit të ardhshëm për moshën U-19. Siç dihet, Shqipëria U-19 është shortuar në Grupin 7 dhe përballë do të ketë Spanjën dhe Belgjikën, me ndeshjet e eleminatoreve të Grupit 7 të Shqipërisë në Europianin U-19, që do të luhen në Belgjikë në shtator.
“Grumbullimi po shkon mirë, kushtet sigurisht janë shumë të mira. Djemtë po stërviten mirë, me ritëm edhe pse është fundi i sezonit dhe sigurisht që mund të ketë pak lodhje për çdo futbollist. Kemi afruar këtë herë edhe futbollistë, të cilët nuk kemi pasur mundësi t’i shikonim më parë, për shkak të impenjimeve të tyre, edhe pse i kemi pasur emrat e tyre në listën tonë. Do t’i vëzhgojmë me vëmendje dhe më pas të shpresojmë që të mund të zbulojmë edhe ndonjë element të ri.
Gjithsesi, sa i përket futbollistëve që i kemi pasur të evidentuar gjatë gjithë kësaj periudhe, besoj se nëpërmjet këtij grumbullimi, do të kemi mundësi t’i testojmë të gjithë. Besoj se në përfundim të këtyre dy miqësoreve, do të ulemi me stafin dhe të përzgjedhim futbollistët, të cilët kanë kontribuar dhe kanë dëshmuar gjendje të mirë për të qenë pjesë e Kombëtares U-19.
Sigurisht, ne do t’i referohemi gjithmonë gjendjes momentale të futbollistëve, pra nuk është çështja se njëri është më i mirë se tjetri në aspektin kualitativ dhe nëse dikush nuk është aktualisht në listën tonë nuk do të thotë që nuk do të jetë. Megjithatë, ne patjetër zgjedhim ata që janë më në formë tani për tani.
Dy miqësoret që kemi në program me Malin e Zi, janë shumë të vlefshme, kjo nuk diskutohet. Do të na ndihmojnë shumë që të testojmë futbollistët dhe skuadrën. Ne ende nuk e kemi konsoliduar përfundimisht grupin e futbollistëve që përbëjnë boshtin e Kombëtares U-19, pasi vazhdojmë të vëzhgojmë futbollistë të talentuar veçanërisht nga jashtë dhe që spikasin herë pas here me paraqitjet e tyre në klubet ku luajnë.
Ne kemi detyrimin t’i japim mundësinë të tregojnë veten dhe të ketë çdokush shansin të provojë veten me fanellën kuqezi”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri shkodran i Kombëtares U-19, Armando Cungu.
Përfaqësuesja e Shqipërisë U-19 do të luajë miqësoren e parë ndaj Malit të Zi më 5 qershor, në ora 20:00 në tokën malazeze, teksa përballja e dytë do të luhet në orën 17:30 në Shkodër, në stadiumin “Loro Boriçi”.
Maringlen ZHIVANI