Që pas ndeshjes me Teutën, ku humbi 0-1, Laçi është pa trajner. Armando Cungu është larguar përfundimisht nga ekipi kurbinas dhe drejtuesit e klubit janë duke parë disa alternativa.
Sipas “Panorama Sport” mëson se një nga kandidatët që ka dalë së fundi në skenë është serbi Marko Jovanoviç. Bëhet fjalë për një personazh të njohur në futbollin shqiptar, pasi ka punuar te Luftëtari si ndihmës i Mlladen Milinkoviç, por edhe te Partizani në të njëjtin pozicion.
Jovanoviç, 37 vjeç, ka punuar si ndihmës edhe në Mal të Zi, te Podgorica dhe Deçici, ndërsa së fundi ka qenë trajner i parë në vendin e tij me skuadra të kategorive inferiore.
E njeh futbollin shqiptar dhe kjo duket se është arsyeja pse drejtuesit e Laçit janë fokusuar te trajneri serb. Për momentin nuk ka ende diçka konkrete dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë. Koha deri në ndeshjen me Dinamon, që luhet të premten, është shumë e shkurtër dhe ndoshta mund të ketë një vendim pas javës së tetë.