Opinion nga ERVIN BAKU
Ndërkohë që Skënderbeu është në majën e futbollit të “sëmurë” shqiptar, presidenti i korçarëve Takaj, ai që nuk llogarit askënd, ka shkarkuar nga detyra zv/presidentin Kollçaku, drejtorin teknik Përmeti dhe gjithë administratën e klubit. Në të njëjtën kohë, Takaj ka pezulluar, pa afat, gjithë stafin teknik të korçarëve të drejtuar nga trajneri Josa. Të hënën, për një rrjedhje informacioni, ka ndodhur absurdi i radhës në telenovelën “çudira shqiptare”.
Presidenti Takaj, ju nuk mund të shkarkoni zv/presidentin Kollçaku për një rrjedhje informacioni. Së pari, sepse nuk keni asnjë kompetencë për ta bërë këtë. Skuadra ka një bord drejtues dhe klubi nuk është në pronësinë tuaj. Së dyti, Kollçaku, që prej 3 vjetësh, është pjesë e financimit në klubin Skënderbeu, së bashku me ju dhe Agim Zeqon. Presidenti Takaj, ju nuk mund të shkarkoni nga detyra drejtorin teknik Përmeti për një rrjedhje informacioni. Sepse Skënderbeu është këtu ku është, falë edhe punës së mrekullueshme të tij. Dhe së fundi, ju nuk mund të pezulloni stafin teknik të drejtuar nga trajneri Josa. Me këtë vendim absurd, ju trondisni futbollistët dhe minoni punën e teknikut aktual. A thua vallë që e gjithë kjo “furtunë në qiell të pastër” të ketë ndodhur vetëm për një rrjedhje informacioni? Personalisht, nuk e besoj këtë. Diku duhet të jenë prishur “pazaret” mes Takajt dhe Kollçakut. Masat e marra të hënën nga numri 1 i korçarëve tregojnë arrogancë dhe karshillëk të pa justifikuar. Një sjellje të tillë e ndoqa dhe të dielën në darkë, në emisionin “Skaner” të televizionit “AS”. Ndoqa presidentin Takaj të deklaronte që “vjet Skënderbeu doli kampion dhe nuk ishte rentabël. Ndërsa këtë vit, do të dalim kampion dhe klubi do të jetë rentabël”. Megjithëse jeni 10 pikë përpara vendit të dytë dhe keni absolutisht ekipin më të mirë, kampionati nuk ka përfunduar akoma. Jini më me këmbë në tokë. Nuk ju bën veçse mirë. Skënderbeu vetë ka bërë, vjet dhe parvjet, përmbysje të mëdha pikësh. Po e marrë të mirë qenë titullin kampion. Pse vjet klubi nuk ishte rentabël dhe këtë vit do të jetë i tillë? Po të dielën, ju i krahasuat tribunat VIP të stadiumeve tona me banjot publike. Kjo nuk është e vertetë presidenti Takaj. I kam vizituar pothuajse të gjithë tribunat e stadium tona. Nuk janë keq për kushtet e Shqipërisë. Gjithmonë për kushtet e Shqipërisë flas. Kam patur fatin të jem edhe në tribunën VIP të Korçës. Por nëse ajo i ka të gjitha parametrat e stadiumeve europiane, merita kryesore i shkon paraardhësit tuaj. Të kthehemi tek fusha e blertë. “Harrojeni titullin edhe për vitet në vazhdim”, deklaruat ju të dielën. Një arrogancë dhe karshillëk të tillë do ta justifikoja me ndonjë kalim turi në Europë. Ia uroj me shpirt Skënderbeut dhe juve personalisht. Deri atëherë, mos harroni, jeni të parët e kampionatit më të trukuar në Europë.