Kampionati i Kategorisë Supe riore ka hyrë në një fazë inter esante. Ndeshjet e javës kanë marrë një rëndësi të veçantë dhe çështja e titullit kampion, ekipeve që do të marrin pjesë në aktivitetet e UEFA-s, apo atyre që mund të zbresin nga kategoria është akoma e hapur. Ndaj, nga arbitrat kërkohet objektivitet shumë i lartë. Asnjëherë në historinë e futbollit tonë, arbitrat nuk kanë luajtur këtë rol negativ si në këtë kampionat.

Janë bërë gabime, madje edhe nga ato që kanë influencuar direkt në rezultatet e ndeshjeve. Por, ato thuajse kanë qenë gabime njerëzore, të cilat nuk janë evituar, madje edhe me përdorimin e teknologjisë. Në dy ndeshjet më kryesore të javës së kaluar u bënë gabime aq të rënda, sa është koha e alarmit të madh, me qëllim që arbitrave guximtarë t’u pritet rruga së paku në këto pak javë që kanë mbetur.

Arbitri me të vërtetë që duhet të jetë i tillë për të përballuar me sukses situatat e vështira që krijohen në një ndeshje. Ai në veprimtarinë e tij duhet të udhëhiqet nga fryma e rregullave të lojës dhe të jetë objektiv në momentet më delikate të saj.

Por, është tepër e çuditshme dhe naivitet profesional që të pranosh se, gabimi i arbitrit të FIFA-s, Enea Jorgji, që nuk akordoi një penallti të pastër në favor të shkodranëve në ndeshjen me Tiranën, të jetë i natyrës njerëzore! Ai ishte fare afër prej vendit ku topi u prek me dorë nga mbrojtësi i Tiranës.

Ky i fundit, fillimisht duart i kishte mbrapa trupit, por çuditërisht sa më shumë që topi po afrohej, ai hapte duart dhe me një naivitet klasik e ndalon topin me dorë. Ndoshta Jorgji në këtë moment ishte duke fjetur, por ne që e shohim nga jashtë ndeshjen dhe pozicionin e tij të përsosur, na lind e drejta morale që të themi se guximi i Jorgjit shkon tej tolerancës që profesioni i tij e pranon.

Është një vendim arrogant, që nuk merr parasysh as minimalen e besueshmërisë që drejtuesit e tij dhe sportdashësit presin prej një arbitri. Arbitri Jorgji, me të drejtë është lavdëruar për disa ndeshje të gjykuara mirë prej tij, por jo pak herë edhe ka zhgënjyer me vendime të guximshme që dalin jashtë frymës sportive. Madje, në të kundërtën e saj?!

(SHIKONI FOTON 1 DHE 2)

Jo pak është folur kohët e fundit për mosndëshkimin e ndërhyrjeve të gabuara të mbrojtësve nga mbrapa sulmuesve, që janë duke shkuar në drejtim të portës. Me të drejte z. Sinemati në një shkrim të para disa ditëve shkruante se, sa më shumë t’i këshillosh arbitrat, aq më shumë ata do të gabojnë.

Ajo që të çudit nuk është te reagimi i arbitrave, por i drejtuesve të tyre që nuk i dënojnë. Dhe më e çuditshmja, sikur të mos ketë ndodhur asgjë, ata i sheh përsëri javën pasardhëse të gjykojnë siç do të shohim edhe arbitrat Jorgji dhe Meta?!

Në Laç arbitri Meta lë pa ndëshkuar me penallti një rast flagrant. Një ndërhyrje të gabuar nga mbrapa të mbrojtësit laçian ndaj sulmuesit kuksian, që po shkon në drejtim të portës. Dëgjuam mendime se kontakti është bërë jashtë zonës së penalltisë dhe nuk kemi të bëjmë me një të tillë.

Në fakt, shtyrja flagrante e mbrojtësit vazhdoi edhe kur sulmuesi ndodhet afërsisht dy metra brenda zonës së penalltisë. Pra, kemi të bëjmë me një penallti që duhej shoqëruar me karton të verdhë. Kjo, sepse lojtari sulmues nuk ishte në zotërim të plotë të topit dhe për pasojë jo në një rast të pastër për gol.

Por guximtari Meta nuk përfilli asnjë rregull. Lëvizja mohuese e tij me gishtin përpjetë, të krijon përshtypjen se dikush nga arbitrat në krah të tij e ka sinjalizuar për këtë penallti të pastër. Nëse rezulton me të vërtetë kështu, gabimi i Metës është i dyfishtë.  (Shiko fotot 4 dhe 5).

Meta, edhe pse teknikisht është arbitri më i përgatitur që ne kemi sot, shumë herë ka lënë përshtypjen se besueshmëria morale e tij është në nivele të papranueshme. Duke parë skenat e mësipërme të një guximi të tepruar negativ të arbitrave Meta dhe Jorgji, nuk është e vështirë që të përcaktosh shkakun e vërtetë.

Nëse ajo nuk ka të bëjë me dëshirën e tyre, por me arsye të tjera të cilat ata nuk i përballojnë dot, më e mira do të jetë që të pranojnë një fund të hidhur, por të lavdishëm si ai i Lorenc Jeminit dhe Ermal Barushit, sesa pozicioni që kanë zgjedhur. (Shiko fotot 3 dhe 4).

Këto pak javë që kanë mbetur do të shërbeheshin më mirë nga arbitra me më pak emër që mund të bëjnë edhe gabime njerëzore, sesa nga ata me eksperiencë të madhe dhe me nivel të lartë teknik, por që manifestojnë në vazhdimësi trimëri dhe guxim të madh që çojnë në tjetërsimin e rezultateve të ndeshjeve. Koha e arbitrave cuba duhet të marrë fund.