Liverpuli ka nisur zyrtarisht festimet për titullin e siguruar për herë të parë që kur turneu në Angli mban emrin Premier League. Një festë që ka nisur me postimin në rrjete sociale pak sekonda pasi gjyqtari i vërshëlleu bilbilit për të mbyllur ndeshjen në Londër mes Çelsit dhe Mançester Sitit, me fitoren e londinezëve që i dha sigurinë matematike skuadrës së Klop.

“Tregojini botës që Liverpuli është kampion i Anglisë” ishte mesazhi që u postua në rrjetet sociale nga Liverpuli për të nisur kështu edhe ekzaltimin e tifozëve të shumtë që kanë ndjekur sfidat duke pritur kurorëzimin e ëndrrës së tyre, pasi titulli mungonte prej 30 vitesh.

Gjatë kësaj periudhe, Liverpuli që mbante rekordin në Angli për trofe të fituar, ka parë se si u kalua me shpejtësi nga Mançester Junajtid i drejtuar nga Aleks Ferguson dhe tashmë duhet të ndjekë “djajtë e kuq” në renditjen e të gjitha kohëve. Kjo për shkak se titulli i sotëm është i 19-ti për Liverpulin, ndërsa vendin e parë e mban Mançester Junajtid me 20 të tillë.

Megjithatë, në këtë vit Liverpuli mund të arrijë rekorde që nuk i ka siguruar askush më pare. Ai kryesori është ai i pikëve në kampionat, pasi pas 31 ndeshje  etë luajtura, Liverpuli ka 86 të tillë. Kjo mund të thotë se në 7 ndeshjet e mbetura, mund të arrijë dhe kalojë rekordin e 100 pikëve të Mançester Sitit të Guardiolës, për të hyrë në histori si një nga skuadrat më dominuese të këtij turneu. /vipsport/