U largua nga Vllaznia ne janar dhe dy dite me pare nderkohe i shenoi nje gol duke e ndeshkuar ne ndeshjen e pare çerekfinale te Kupes se Shqiperise. E kemi fjalen per futbollistin aktual te Erzenit, Xhelil Asani. Ne nje prononcim te dhene per mediat, ai ka shpjeguar edhe arsyen e largimit nga Shkodra.

“Unë festova edhe pse i shënova gol ish-ekipit që luajta për 6 muaj me radhë. Vllaznia është e shkuara ime dhe unë tani mendoj vetëm për Erzenin. E nisa mirë te shkodranët, pastaj u dëmtova dhe nuk e kuptova pse nuk u aktivizova më për asnjë minutë.

I gjendur në këtë situatë, vendosa të luaj për Erzenin me qëllim për të pasur më shumë minuta në këmbë. Jam i kënaqur që po luaj rregullisht tek shijakasit dhe shpresoj të vazhdojmë me rezultate pozitive. Ne do të bëjmë gjithçka për të shkuar në gjysmëfinale edhe pse do të jetë e vështirë. Mendoj që i kemi shanset dhe kualitetet për të kaluar me sukses edhe ndeshjen e dytë në transfertë përballë Vllaznisë.

Ne e kemi prioritet t’i shkojmë deri në fund Kupës, pasi mund ta arrijmë Kupat e Europës edhe nga ky kompeticion. Fokusi ynë do të jetë maksimal dhe me punë intensive, kam përshtypjen se do të dalim me kokën lart nga “Loro Boriçi”. Duhet të shijojmë këtë moment dhe nga sot të përveshim mëngët për ndeshjet jetike që na presin në kampionat”- eshte shprehur ai.