Mançester Siti është një prej klubeve që ka investuar më shumë në futbollin europian në dekadën e fundit duke afruar futbollistë të njohur e duke i mirëpaguar ata. Por me afrimin e Pep Guardiolës në klub, ka diçka që nuk shkon dhe përtej fitoreve e futbollit argëtues, duket se ka një krisje mes lojtarëve dhe trajnerit spanjoll.
Sipas “El Chiringuito”, emision shumë i njohur sportiv në Spanjë, në verë do të nisë një eksod nga ky klub, pasi janë të paktën 8 lojtarë që kërkojnë të largohen nga trajneri. Situata nuk ka lindur pas disfatës me Totenhemin, por pretendohet se është e trashëguar, thjesht gjërat kanë shpërthyer dhe janë bërë publike pas sfidës në Champions.
I pari në listën e të pakënaqurve dhe që ka bërë gati valixhet është Gyndogan, për të cilin edhe vetë Guardiola ka pranuar se nuk dëshiron të rinovojë kontratën e tij.Pastaj në radhë është Gabriel Zhezus, e ardhmja e futbollit brazilian por që është lënë në stol nga Guardiola i cili preferon Agueron.
Por çudia më e madhe lidhet me emrin e Leroi Sane, një prej futbollistëve më në formë të Sitit, por të cilin Guardiola e la jashtë në dy ndeshjet vendimtare me Totenhemin, duke e aktivizuar gjithmonë e më pak. Sipas emisionit sportiv, Guardiola nuk ka mbajtur premtimin për ta bërë atë një emër të rëndësishëm brenda grupit dhe mosaktivizimi ka përkeqësuar situatën.
Këta të tre janë emrat e sigurt të cilët në verë do të bëjë gati valixhet, por do t’u bashkohen edhe të tjerë, një reklamë aspak e mirë për trajnerin i cili deri tani lavdërohej për mënyrën se si bënte për vete lojtarët në cilindo klub ku punonte. /vipsport/