Ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare, Astrit Hafizi, bën thirrje që të gjithë të evitojnë euforinë para ndeshjes kundër Hungarisë apo edhe në rast fitoreje në këtë sfidë. Në fjalët e tij për “SuperSport” para sfidës, Hafizi theksoi se do të jetë shumë e vështirë edhe për faktin se është një seri e jashtëzakonshme ndeshjesh, e për më tepër, është edhe play-off dhe vetëm kur të shkojmë aty mund të themi se jemi pretendentë.

“Nuk është e lehtë. Nuk është se nuk kemi dëshirë të shkojmë në Botëror, por nuk është e lehtë. Kemi disa pengesa për të shkuar deri atje dhe përherë themi që do shkojmë në Katar. Por për të shkuar duhet të bësh edhe një tur tjetër, atë play-off.

Nuk është se na çon kjo ndeshje në Katar, apo Polonia, as edhe play-off-i. Nëse shkojmë në play-off, atëherë të themi shpresojmë se është rrugë e gjatë. Shyqyr që ia arritëm një mendimi që kemi shpresa që të shkojmë në aktivitete të ndryshme, e pretendon kushdo. Mos harroni që kemi para tre ndeshje të cilat janë të jashtëzakonshme: Hungari, Poloni dhe Angli”, tha Hafizi.

“Formacioni është zhvendosur me 5-3 2 dhe pjesa tjetër është normale. Biles Çekiçi mund të ishte rezervë nëse do të ishte Abrashi apo Xhaka që kanë qenë përpara. Ajo e Uzunit mendoj se është vendosje e duhur, nuk është puna se luan në Hungari. Është i domosdoshëm, se është lojtar i shpejtë, i zhdërvjellët e janë lojtarë që i krijojnë vështirësi mbrojtësve kundërshtarë.

Nuk mendoj se ka ndryshim të jashtëzakonshëm. Kjo skemë ndoshta është vetëm për faktin se Reja thotë të mos humb ndeshjen si fillim. Të ishte vendosur ndryshe do kishim lëvizje sulmuese nga krahët, në veprimet mbrojtëse do i bëjnë më shpejt”, deklaroi ai.