Të shtunën, Skënderbeu do të luajë në transfertë kundër Vllaznisë, ndeshje e vlefshme për javën e 24-të të Superiores. Ky takim do të zhvillohet në orën 17:00, ndërsa i gatshëm për këtë sfidë është edhe Bajram Jashanica.

Burime të sigurta pranë klubit korçar bëjnë me dije për newsport.al që shtatlarti ka marrë dritën jeshile dhe të shtunën do të jetë në fushë për përballjen me shkodranët.

Një lajm i mrekullueshëm ky jo vetëm për stafin teknik të Skënderbeut, por edhe për lojtarin që i jep fund kalvarit të gjatë të halleve teksa nuk zbret në fushë prej dy vitesh për shkak të pezullimit nga UEFA.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe presidenti Ardjan Takaj që mes miqsh është shprehur i lumtur për përfundimin e pezullimit të lojtarit të tij.

Kujtojmë që Bajram Jashanica u dënua për përdorim të substancave të palejuara, teksa rezultoi pozitiv në testin anti-doping të bërë pas një ndeshje të Europa League./newsport/