Sipas gazetarit të sportit, Ervin Baku, grupi në Kombëtaren shqiptare është keqmenaxhuar. Në edicionin e lajmeve në MCN TV, Baku u shpreh se te Shqipëria nuk duhet të kënaqen me vendin e tretë. Më tej ai foli edhe për trajnerin Reja, për të cilin tha se nuk i duhet rinovuar kontrata me Shqipërinë.

“Nëse nisemi vetëm nga statistikat, mund ta quajmë si një rrugëtim të mirë, sepse kemi dalë në vendin e tretë, duke lënë pas një kundërshtar si Hungaria. Kemi arritur 18 pikë, rezultati më i mirë që është arritur. Me miellin që Reja kishte në dispozicion, mund të bënte një bukë më të mirë.

Kemi një grup lojtarësh, që nuk është menaxhuar si duhet. Këtu mund të përmendet rasti i Taulant Xhakës dhe Armando Brojës. Nuk ka vend për eufori, pasi kështu nuk nxjerrim dot në pah gabimet e eliminatoreve. Nuk duhet të kënaqemi me vendin e tretë, por të analizojmë pse nuk shkuam në Botëror.

Suksesi është vendi i tretë dhe dy fitoret ndaj Hungarisë. Dy fitoret ndaj hungarezëve nuk erdhën nga ndonjë strategji e trajnerit, por nga dy veprime individuale të Brojës. Zhgënjimi është pse nuk jemi në “play off”. Unë nuk shikoj në asnjë vend të botës, që zv/trajnerët të bëjnë dalje publike, pasi ato janë vetëm për trajnerin e parë.

Ne duam të fitojmë ndeshjet në konferencat e shtypit. Hungaria i mori barazim Anglisë në “Wembley”, ndërsa ne u shkërmoqëm, sepse duam ta fitojmë ndeshjen në konferencë. Kemi një grup fantastik, por është keqmenaxhuar në këto eliminatore.

Nuk mendoj se Reja ka sjellë ndonjë gjë të re te Shqipëria. Unë nuk e quaj sukses historik, 12 pikë me Andorrën dhe San Marinon, por e quaj detyrim shtëpie. 6 pikë me Hungarinë nuk na i dha Reja me strategjinë e tij, por na i dha Broja. Nuk mendoj se Reja ka sjellë ndonjë gjë të jazhtëzakonshme.

Unë mendoj që Rejës nuk duhet t’i rinovohet kontrata. Ka ardhur koha që pse jo t’i besojmë një trajneri shqiptar. Ose një trajner të huaj, ku Federata të bëjë një sakrificë të madhe, për të marrë trajner të mirë dhe jo mesatar”, u shpreh Baku.