Që Teuta të fitojë diçka të madhe në futboll, një kryqëzim duhet ta ketë patjetër me Vllazninë. Kështu ndodhi në sezonin 1993-1994, kur për herë të parë durrsakët u shpallën kampionë të Shqipërisë. Më 23 prill të vitit 1994, Teuta fitoi 1-0 në Durrës ndaj Vllaznisë dhe siguroi titullin tri javë para fundit të kampionatit.
Plot 27 vite më pas, duhet të bënte një fitore të madhe Vllaznia në kryeqytet ndaj Partizanit, që të përfitonin durrsakët dhe të riktheheshin në krye. Në ditën kur Teuta shpallej kampione me në krye Haxhi Ballgjinin, si për koincidencë, në atë kampionat kryegolashënues ishte Edi Martini, i cili luante për Vllazninë dhe shënonte 14 gola.
Sot shkodrani drejton “djemtë e detit” dhe është pranë fitimit të trofeut, por çfarë mendon Ballgjini për sezonin e Teutës dhe befasitë e këtij fundi emocionues. Ish-trajneri më i suksesshëm në historinë e klubit durrsak rrëfehet ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke folur i bindur këtë herë se Teuta do të festojë të mërkurën për herë të dytë titullin.
Profesor, çfarë menduat kur Teuta u mposht në Durrës nga Partizani?
Humbja ndaj Partizanit ishte si shumë vite më parë, kur e humbëm titullin në javën e fundit. Mendova: Gjithë ai mund, gjithë ai pretendim shkoi kot vetëm për një 90-minutësh, të cilin nuk duhet ta kishim humbur.
Humbëm edhe shpresat, por Zoti është i madh dhe i shpërbleu çunat tanë këtë sezon. Ishte edhe fati që Partizani u mund, ne barazuam dhe u kthyem në krye. Ishte edhe fati me ne dhe na ktheu humorin dhe gëzimin. Na ktheu “çehren” kur i themi në gjuhën popullore (qesh…).
Në ndeshjen me Apoloninë ka një ankth se Teuta duhet të fitojë me më shumë gola se Vllaznia. Çfarë prisni në javën e fundit?
Duke mos qenë shumë euforik, së paku po them që Teuta e ka vënë një dorë te titulli. Tani ka mbetur vetëm që të vejë edhe dorën tjetër dhe ta ngrejë me të dyja duart lart.
Po t’u referohemi ndeshjeve, Teuta luan me Apoloninë, një skuadër që i ka dhënë fund sezonit, ndërsa Vllaznia luan me Laçin. Po t’i referohemi koeficientit të vështirësisë të të dyja dueleve, është shumë më e fortë ndeshja e Vllaznisë me Laçin sesa ajo e Teutës me Apoloninë.
Kështu që, nuk besoj se do të përsëritet ai viti i largët kur ne e humbëm titullin javën e fundit me Kamzën, vit në të cilin edhe Kamza kishte mbaruar punë me kampionatin, kishte rënë nga kategoria, por ne nuk mundëm që të fitonim në Durrës dhe atë sezon e fitoi Skënderbeu titullin.
Ndaj, besoj se djemtë do ta kenë parasysh edhe këtë. Qyteti e pret dhe qytetarët e Durrësit janë të uritur për këtë titull. Besoj se edhe pak ditë na duhen që titulli të vijë në Durrës.
A keni një këshillë, duke ditur se Teuta këtë sezon ka vuajtur për gola, por këtë herë duhen të paktën aq sa shënon Vllaznia, në rast fitoreje për të dyja?
Teuta këto javët e fundit ka shënuar, ka arritur ta gjejë rrugën e rrjetës ndaj këtyre skuadrave të ashtuquajtura më të dobëta në letër. Thjesht, vetëm nëse ka ndonjë aleancë, të cilën unë nuk dua ta mendoj këtë.
Jo vetëm dëshira që unë kam për Teutën që të dalë kampion, por edhe teorikisht është e pamundur që Vllaznia t’i bëjë më shumë gola Laçit sesa Teuta mund t’i bëjë Apolonisë. Nëse ka aleanca, nëse ndeshja luhet jashtë dhe jo në fushë, kjo është tjetër gjë.
Në vitin 1994, Teuta titullin e parë e fitoi pikërisht me një triumf ndaj Vllaznisë…
Po, tri javë para fundit. Këtë herë ndodhi që fitorja e Vllaznisë ju riktheu në krye… Gjeni lidhje mes këtyre dy ngjarjeve apo e shihni si rastësi? Unë do ta quaja thjesht rastësi. Me bindje e them se Teuta nuk ka pasur aleanca këtë sezon.
E them këtë sepse edhe po t’i kishte pasur, ajo ndeshja e fundit me Partizanin nuk do të ishte humbur, ndërkohë që Teuta luante vetëm për një barazim… Besoj se Teuta do t’ia arrijë qëllimit deri në fund.
Kur dëgjoni specialistët e futbollit që thonë se “Teuta nuk bën të njëjtin futboll të bukur si rivalet, Vllaznia apo Partizani”, çfarë përshtypje ju lë?
Unë e kam ndjekur Teutën pothuajse të gjithë sezonin, me ndeshjet si jashtë edhe në shtëpi. E kam ndjekur nga televizori me rregullsi. Nuk jam dakord me analizën e specialistëve. Nuk jam, sepse në 35 javë që janë zhvilluar, pak ndeshje kanë qenë të tilla që kundërshtarët e kanë mundur Teutën edhe me futboll, kështu që nuk jam dakord me këtë lloj analize që bëjnë ata.
Teuta i ka mposhtur pothuajse të gjithë kundërshtarët, mbi 90% të tyre. Aty ku nuk ia ka dalë dot, ka lënë pikë. Teuta ka lënë pikë ndaj Tiranës në Durrës me një nga ndeshjet më të dobëta, për të mos thënë më e dobëta e sezonit.
Edhe me Partizanin që humbi para një jave, për mua e dominoi Teuta, por 3 pikët i morën ata. Me sa mbaj mend unë, ka bërë edhe një ndeshje të dobët në Shkodër. Kështu që, për 3 ndeshje, në raport me 32 të tjera, është disi larg, 11 herë më shumë, kështu që nuk bie dakord.
Çfarë ju ka pëlqyer më së shumti te kjo skuadër?
E kam thënë shpesh që Teuta është ndërtuar për të dalë kampione. Po të shohësh përbërjen e ekipit, dy qendrat e mbrojtjes, Hoxha dhe Arapi, janë lojtarë me eksperiencë të jashtëzakonshme dhe me shumë vite futboll të luajtur.
Pastaj, një portier në portë si Frashëri, nga krahët e mbrojtjes, lojtarë si Kuro, Todorovski apo Xhekson. Kemi një mesfushë me Vilën dhe Aleksin. Më tej, në sulm Dejvi Bregu, një lojtar i cili në momentin që arriti formën e tij, dominoi sezonin. Pritej shumë nga ai djalë dhe shumë pikë i ka dhënë Teutës.
Nga gjysma e sezonit e më tej, për mua ka zhvilluar një kampionat fantastik. Vila i vogël, Lorenco, është pa dyshim zbulimi i këtij sezoni. Ka qenë shumë determinant me mënyrën e të luajturit dhe me golat e shënuarit. Gjithashtu edhe qendërsulmuesi Krasniqi, të cilit, sipas meje, i kanë munguar vetëm golat, pasi me lojën e tij e ka tërhequr dhe e ka mbajtur ekipin në sulm.
Ekipi ka qenë i drejtuar në atë formë që duhet të dilte kampion. Lojtarët kishin kohë që luanin bashkë. Vetëm dy blerjet, Krasniqi dhe Bregu, i duheshin. U ndërtua në atë formë që ne kemi arritur gati-gati te suksesi përfundimtar.
Po diçka që nuk ju ka pëlqyer?
Do ta them troç: Shumë barazime. Një skuadër që pretendon titullin, heraherës duhet të kalojë edhe në aventurë, sipas meje. Të paktën me ato skuadra ku pretendon patjetër fitoren. Të mos mjaftohesh me barazimin, por të kërkosh më shumë dhe të marrësh 3 pikët.
Ndryshe ndodh me skuadrat që janë aty-aty me pikë në krye të klasifikimit, të nivelit tënd, normalisht që duhet të jesh shumë i kujdesshëm. Më mirë një fitore, një humbje dhe një barazim, pra katër pikë, sesa 3 barazime.
Prandaj, them që më mirë të kalosh ndonjëherë në aventurë. E vetmja kritikë për mua kjo është dhe ka lënë shumë pikë, edhe në Durrës.