Nga Endri ÇINARI
Vllaznia zhgënjeu sërish në ndeshjen e fundit kundër Bylis, ku shkodranët nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 ndaj Bylisit. Duke zgjatur kështu në 5 numrin e ndeshjeve rradhazi në të cilat kuqeblutë nuk arrijnë të marrin një fitore. Ku gjatë kësaj periudhe kanë arritur të grumbullojnë vetëm 3 pikë nga 15 të mundshme.
Me shkodranët që kanë shënuar 2 gola e po ashtu pësuar 2 të tjerë, me statistikat që të ngjasojnë me një skuadër që po lufton për mbijetesën në Superiore dhe jo për titullin kampion. E nëse ka kritika për lojën e disa futbollistëve në ndeshjen e fundit ndaj Bylis në Shkodër, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për një emër në veçanti dhe ai është Sherif Kallaku. Mesfushori nga Fushë Kruja, jo vetëm për golin e shënuar i cili ishte spektakolar, por edhe për lojën e zhvilluar ishte ndoshta më i miri në fushë për të dy ekipet.
Thuajse çdo aksion i rrezikshëm i kuqebluve kalonte nga këmbët e numrit “10-të”, që duhet theksuar se ende po vuan nga dëmtimi dhe nuk është në 100% të formës fizike. Por, duke sakrifikuar ka vendosur të japë kontributin e tij për skuadrën deri në përfundimin e këtij viti. Ku më pas do tentojë rikuperimin e plotë gjatë ditëve të pushimit të fund dhjetorit dhe fillim janarit.
Patjetër që tek Vllaznia e në Shkodër presin akoma më shumë nga Kallaku, duke ditur cilësitë që ai zotëron. Megjithatë në duelin e fundit ndaj Bylis, ish-futbollisti i Teutës ishte ndër më të spikaturit në fushë e duke qenë ndoshta i vetmi që “shpëton” në rradhët e kuqebluve nga ky barazim 1-1. Që patjetër i rri shumë “ngushtë” Vllaznisë në garën për kreun dhe titullin kampion të Superiores.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


