Igli Tare e zbuloi në Serie D të Brazilit dhe e solli te të rinjtë e Lacios, duke u bërë më pas një nga lojtarët më të mirë të Serie A në qendër të mbrojtjes. Luiz Felipe, vetëm 22 vjeç, bashkë me Kumbullën janë dy nga lojtarët që kanë përparuar më shumë këtë sezon.

Braziliani ka arritur të fitojë besimin e Simone Inzagit për ta futur titullar në çdo ndeshje dhe ia ka shpërblyer trajnerit, duke treguar një siguri të madhe në situata tepër të rrezikshme.

Felipe është shndërruar në një mur para se topi të shkojë te Strakosha. Cilësitë e tij i ka vënë re një nga klubet më të mëdhenj të globit.

Barcelona nuk po arrin të gjejë një qendërmbrojtës modern dhe të sigurt, ndërkohë që reparti difensiv është një nga pikat më të dobëta të ekipit të Setien. Katalanasit prej kohësh janë në kërkim të një tjetër alternative dhe Felipe duket se është i zgjedhuri i tyre.

Katalanasit janë gati të bëjnë ofertën e duhur, por Igli Tare nuk e dëshiron largimin e të riut. Ai e dëshiron në skuadër dhe mediet italiane ditën e djeshme raportuan se kryqytetasit kanë bërë gati kontratën e re për Felipen. Mbetet për t’u parë cila do të jetë zgjedhja e tij, kur në tavolinë ka një rast që të vjen një herë në jetë. /vipsport/