Bashkia Shkodër është nderuar me “Mirënjohje” nga Federata Shqiptare e Basketbollit për kontributin e saj të dhënë në organizimin e disa ndeshjeve ndërkombëtare në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” gjatë këtij viti.
Ceremonia është zhvilluar mbrëmjen e djeshme në kryeqytet dhe “Mirënjohja” i është dorëzuar drejtorit të sportit pranë Bashkisë Shkodër Auron Miloti, nga presidenti i FSHB Avni Ponari.
“FSHB i akordon “Mirënjohje” Bashkisë Shkodër për mbështetjen dhe bashkëpunimin në organizimin e ndeshjeve të Kampionatit Europian U16, Divizioni C, si dhe për kontributin e dhënë në zhvillimin e ndeshjes së ekipit kombëtar Shqipëri- Kosovë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës”- shkruhet në motivacionin e këtij titulli.
Ndërkohë bashkëpunimi mes tyre duket se do të vazhdojë sepse është vendosur që ndeshjet e Kampionatit Evropian U18 Divizioni C, të zhvillohen sërish në Shkodër, nga data 21 deri më 26 korrik në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.


