✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”

Basketbollistët e Vllaznisë u kishin bërë thirrje ditën e djeshme tifozëve shkodranë për mbështetje në kryendeshjen ndaj Besëlidhjes kampione në fuqi të vendit, por në fakt paraqitja e tyre në parketin e pallatit të sportit “Qvoazim Dervishi” mbrëmjen e sotme ka lënë shumë për të dëshiruar.

Lezhjanët kanë fituar pa as më të voglën vështirësi duke shënuar dyfishin e pikëve të ekipit shkodran. I gjithë takimi është mbyllur në shifrat 94-47 në favorin e tyre. Fakti që vendasit kanë shënuar një shifër kaq të ulët pikësh, tregon më së miri se ata nuk kanë qenë në lartësinë e duhur në këtë përballje.

Perioda e parë u mbyll në shifrat 18-6 për Besëlidhjen, e cila erdhi duke e thelluar edhe më shumë atë në pjesën e dytë që mbyllet 24-11 dhe në këtë mënyrë skuadra e drejtuar nga trajneri shkodran Afrim Bilali shkon në pushimin e ndeshjes me një diferencë prej 25 pikësh në favorin e tyre.

E treta do të mbyllej 22-11 dhe e fundit 30-18 dhe në këtë mënyrë Besëlidhja do të triumfonte ndaj Vllaznisë me shifrat e thella 94-47. Ajo vazhdon të kryesojë e vetme renditjen ndërsa Vllaznia është e pozicionuar në vendin e pestë të saj.