Në Shkodër vitet e fundit sidomos është shtuar shumë presioni ndaj trajnerëve por edhe futbollistëve. Këta të fundit jo më kot e kanë shfaqur këtë gjë edhe në rezultatet e këtij sezoni teksa në ndeshjet e luajtura në stadiumin “Loro Boriçi” kanë bërë më keq se në ndeshjet në transfertë.

E gjitha kjo vjen ngaqë tifozët shkodranë kanë gjithmonë kërkesa të mëdha ndaj futbollistëve dhe Vllaznisë dhe nga kjo skuadra nuk i ka realizuar pritshmëritë e tyre.

Nga ana tjetër, nuk ka ndeshje që nga tribuna e stadiumit nuk ka thirrje ndaj trajnerëve të ekipit shkodran për të hequr këtë apo atë futbollist dhe për të futur një tjetër. Kjo nuk pritet mirë shpeshherë prej trajnerëve dhe mbase ndonjëri prej tyre edhe ka reaguar ndaj tyre.

Në Shkodër në fakt qarkullon këto vitet e fundit një batutë e cila ka dalë nga goja e trajnerit Armando Cungu i cili ka thënë: “Në këtë qytet, çdo familje ka një trajner, një polic dhe një shofer brenda saj”.

I referohet fakti se çdo familje e ka një sportdashës që “të jep mend” si të ishte trajner. Çdo familje e ka një “të fortë” që bën si polic dhe nuk pyet për kënd. Dhe po ashtu, çdo familje e ka një person që ndoshta nuk di ta ngasë makinën por i thotë vetes shofer.
© shkodrasport.com