Kristiano Ronaldo ka qenë një nga yjet që është shfaqur në “Globe Soçer Aëards” në Dubai, në një natë ku janë nderuar shumë protagonistë të futbollit ndërkombëtar. Portugezi ka folur në skenë duke treguar eksperiencën e tij të re në Arabinë Saudite dhe protagonistët e edicionit futbollistik në Europë.

“Transferimi te Al Nasr ishte një zgjedhje fantastike. Arabia Saudite është në një rrugëtim, do t’i duhet kohë. Por hap pas hapi do të arrijë nivelet më të larta. Mendoj se kampionati saudit do të jetë mes tre kampionateve më të forta në botë. Njerëzit në Arabinë Saudite do të jenë krenarë për të. Kampionati atje nuk është më i keq se kampionati francez. Jemi që tani superiorë. Tani jemi më konkurrues së kampionati francez, mund ta them pas një viti që kam kaluar aty.

Viti 2023? Isha golashënuesi më i mirë në këtë edicion, imagjinojeni pak të mposhtësh përbindësha si Haland, ndaj jam krenar. Dhe së shpejti do të mbush 39 vjeç! Më pëlqen kur njerëzit dyshojnë ende tek unë dhe pastaj kam sukses. Nuk më ndikojnë kritikat.

E ardhmja? Ndjehem ende mirë dhe jam në gjendje që të shënoj, mund të ndihmoj skuadrën dhe kombëtaren. Do të vazhdoj sa të kem mundësi, nuk e di se kur do të arrijë momenti që ta mbyll, ndoshta pas 10 ditësh, ose pas 10 vitesh…

Favoritët për Champions? Mançester Siti ka mundësi të mira për ta fituar përsëri, por edhe Real Madrid e Bajerni. Mançester Siti ishte fantastik. Urime për sezonin. Lojtarët, trajneri, e mrekullueshme. Më në fund fituan Ligën e Kampioneve, me shumë mundësi e meritonin edhe dy vite më parë. Mua më pëlqen kur i shoh të luajnë”, ishin disa nga fjalët e Ronaldos.