Një episod i ndezur ka shoqëruar stërvitjen e Brazilit përpara miqësoreve kundër Koresë së Jugut dhe Japonisë. Talenti 18-vjeçar Estêvão Willian, i konsideruar një nga xhevahirët e futbollit brazilian, rrezikoi seriozisht pozitën e tij në kombëtare pas një përplasjeje të fortë me trajnerin Carlo Ancelotti.
Sipas “Globo Esporte”, gjatë një ushtrimi taktik mbrojtës, Estêvão ka injoruar disa herë udhëzimet e Ancelotti-t, i cili i kërkonte presion të menjëhershëm mbi mbrojtësin e krahut. Pasi drejtuesit e pankinës panë se lojtari nuk po e zbatonte kërkesën, Ancelotti ndërhyri me tone të ashpra dhe të qarta: “Unë flas vetëm një herë. Ose bën atë që të them, ose je jashtë skuadrës.”
Kjo ndërhyrje vendimtare rezultoi një pikë kthese. Në ndeshjen miqësore që pasoi kundër Koresë së Jugut, Estêvão reagoi me personalitet dhe tregoi potencialin e tij të vërtetë: ai realizoi një ‘dopietë’ në fitoren 5-0 të Brazilit, duke u kthyer menjëherë në protagonist pozitiv.
Edhe një herë, Carlo Ancelotti konfirmoi reputacionin e tij si mjeshtër i menaxhimit të grupit. Aftësia e tij për të zgjedhur momentin e duhur, tonin e duhur dhe për të vendosur autoritet me përvojë dhe qetësi, ka bërë gjithmonë diferencën në karrierën e tij të gjatë.
Nga ana tjetër, Estêvão jo vetëm u përmirësua në fushë, por tregoi edhe pjekuri jashtë saj. Si shpërblim për reagimin e tij pozitiv dhe profesionalizmin e treguar pas incidentit, Ancelotti i ka dhënë një ditë leje për të kryer provimin e patentës së makinës.
Episodi, që fillimisht dukej i rrezikshëm për të ardhmen e të riut te Brazili, përfundoi duke u kthyer në një mësim të vlefshëm për lojtarin dhe një tjetër dëshmi e autoritetit të Ancelotti-t në drejtimin e një grupi me ‘yje’ dhe të rinj.















