Vllaznia mori një fitore në ndeshjen e fundit ndaj Bylisit, ku u arrit edhe Europa. Tashmë, kuqeblutë e kanë mbyllur këtë sezon dhe natyrisht që, vëmendja është përqëndruar tek puna për formimin e këtij ekipi për të ardhmen.

Megjithatë, njëri ndër futbollistët që do të jetë pjesë e Vllaznisë edhe për dy sezonet e ardhshme, është pikërisht sulmuesi shkodran Bekim Balaj. Ky i fundit u rikthye në Shkodër me ngjyrat kuqeblu në janar, teksa që nga ajo periudhë e deri më tani, më konkretisht në 20-ndeshje të luajtura prej tij, shënoi vetëm tre gola.

Natyrisht që, një shifër e tillë është shumë pak për një sulmues, pasi ato padyshim që maten me gola. Megjithatë, “ndezja” e Balajt nga fundi i këtij kampionati është padyshim një garanci për të ardhmen e Vllaznisë.

Sulmuesi shkodran kapi çdo ditë e më tepër formën e tij më të mirë dhe prej tre sfidave të fundit ka arritur të shënojë në dy prej tyre, pikërisht ndaj Partizanit dhe ndaj Laçit. Rritja e formës së tij sportive në këtë fundsezoni ka ngrohur padyshim edhe stafin drejtues, pasi normalisht që është një investim i madh nga klubi.

Ndoshta, edhe trajneri i ri që do të vendoset tek Vllaznia, mund ta bazojë lojën pikërisht te shtatlarti, i cili në ndeshjet e fundit që shënoi, është furnizuar edhe më tepër me krosime nga krahët, qoftë nga Hakaj, Hoxhaj, Çoba dhe Latifi. Megjithatë, fakt është që rritja e formës sportive të Bekim Balajt është një garanci për Vllazninë e sezonit të ardhshëm.
Maringlen ZHIVANI