Vllaznia e sezonit të ri është duke u pritur me interes të madh në opinionin sportiv shkodran. Ndryshimet e bëra në drejtim, ardhja e sponsorit Xhaferi dhe për më tepër, ndryshimet e shumta në skuadër, kanë bërë që pritshmëria të jetë e madhe për këtë skuadër.
Duke folur në lidhje me këto ndryshime, ish- futbollisti i Vllaznisë Amarildo Belisha është shprehur optimist sepse ai niset në rradhë të parë nga puna që ka nisur të bëjë sponsori Xhaferi, i cili ka dhënë shembullin e mirë edhe te basketbolli.
“Alban Xhaferin e njoh edhe personalisht, e njoh si djalë punëtor, me vizion në biznes dhe them se me objektivat që i ka vënë vetes në rradhë të parë si dhe klubit më pas, mendoj se do të arrijë të bëjë diçka të mirë për Vllazninë.
Ajo që ka bërë tek basketbolli, është shembulli më i mirë dhe me seriozitetin dhe pasionin që ka, do të bëjë gjëra të mira. Unë besoj tek pastërtia dhe ndershmëria e tij pasi është një figurë e mirë dhe uroj t’i ecë mbarë tek Vllaznia”- ka thënë ai.
I pyetur ndërkohë në lidhje me objektivat që do të ketë Vllaznia në sezonin e ri dhe nëse ajo do të mundet të kapë Kupat e Europës siç deklarojnë drejtuesit e saj, Belisha do të shprehej:
“Unë kam patur një bisedë miqësore me sponsorin Xhaferi dhe ia kam thënë hapur se e kundështoj tek objektivi që duhet të ketë skuadra në sezonin e ri. Për mendimin tim, Vllaznia duhet të luftojë të qëndrojë në mesin e artë, pavarësisht se zemra më don më shumë.
Vendi i pestë apo i gjashtë në renditje nuk do jetë keq për këtë sezon sepse janë disa skuadra të tjera të cilat do më përpara në investime, financa dhe kanë marrë lojtarë më të mirë”- ka thënë ai./SHKODRA-SPORT.COM/