Elvin Beqiri, ishkapiteni i Vllaznisë dhe ish-lojtari i Kombëtares, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” vlerëson pikën e marrë në takimin e fundit ndaj Tiranës nga ekipi shkodran. Në anën tjetër, ai është ende skeptik për sa i përket pozicionimit të skuadrës në fund të sezonit. Ai ka vlerësuar punën që po bëhet te Vllaznia, ndërsa vijon që të ketë mendimin se kësaj skuadre i duhet një sulmues race.
Beqiri, kemi shikuar një Vllazni me luhatje në këto javë. Pse po ndodh kjo?
Nuk shikoj vetëm Vllazninë, por edhe skuadrat e tjera që janë me oshilacione. Dy humbjet e fundit me Laçin dhe Bylisin duket se kanë sjellë luhatje në lojë te Vllaznia, gjë e cila u pasqyrua edhe në rezultat. Për pjesën tjetër, mendoj se Vllaznia ka bërë mirë punën e saj. Të gjitha ekipet po shfaqin probleme të tilla. Prandaj, me përjashtim të dy skuadrave të fundit, pjesa tjetër janë ngjeshur me njëra-tjetrën, përfshi këtu edhe Vllazninë.
Mendoni se barazimi që mori në Tiranë do të sjellë sërish besim dhe optimizëm te Vllaznia?
Mund të them se ishte një pikë me shumë vlerë, pasi ai barazim vlen më shumë për të rritur moralisht ekipin në këto momente. Pas dy humbjeve, një e tretë do të ishte një shok më shumë. Mendoj se kjo pikë me Tiranën mund të kthejë Vllazninë e javëve të para.
Çfarë ndikon te kjo skuadër?
Mungesat, pa diskutim, kanë ndikimin e tyre. Kur kemi një skuadër të kompletuar, siç ishte në Tiranë, kjo skuadër tregon se ka forcë për t’u përballur me çdo kundërshtar. Kur ka mungesa, atëherë ekipi shfaq më shumë probleme. E shikuam në takimin ndaj Tiranës sa rëndësi ka një lojtar si Hygor, i cili tregoi se është një vlerë e shtuar për këtë klub, që me paraqitjen tij ndryshoi shumë në lojën e ekipit. Unë shpresoj që ai lojtar të shkojë dhe të vijë shpejt nga Brazili, pasi nëse ai mungon, atëherë Vllaznia do ta ndiejë shumë një mungesë të tillë..