Besëlidhja në basketboll për meshkuj merr një tjetër fitore në kampionat. Këtë herë ajo ka triumfuar ndaj Tiranës, madje ka qenë një sukses jo shumë i vështirë për t’u arritur sepse në fund të takimit lezhjanët e mbyllën me 42 pikë diferencë ndaj këtij kundërshtari.

Takimi është luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit dhe në fund të tij janë fiksuar shifrat 118-76 në favor të Besëlidhjes kampione në fuqi të vendit.

Vetëm perioda e parë është e mirë për bardheblutë të cilët e mbyllin atë me shifrat 23-22 në favorin e tyre, por vetëm kaq. Djemtë e drejtuar nga trajneri Afrim Bilali janë zgjuar në periodën e dytë të cilën e fitojnë në shifrat 31-18. Kaq do mjaftojnë që më pas gjithçka të fliste në favorin e tyre.

Dy periodat e tjera vetëm sa do të thellonin epërsinë dhe ajo e treta do të tregonte shumë sepse mbyllet në shifrat 39-9 në favor të Besëlidhjes duke treguar edhe njëherë tjetër diferencën e madhe në mes dy ekipeve. E fundit është thjesht formalitet, mbyllet 26-26 dhe këtu do të vuloset dhe rezultati përfundimtar i ndeshjes me plot 42 pikë diferencë në favor të Besëlidhjes.

Kjo e fundit që në fillim të kampionatit po tregon se mbetet pretendentja kryesore për fitimin e titullit kampion edhe këtë sezon, titull ky që do të ishte i treti rradhazi për të.(www.shkodrasport.com)