Sponsori i Vllaznisë, Alban Xhaferi, hedh dyshime për zvarritjen e procesit të privatizimit të klubit shkodran. Ankandi është bllokuar tashmë pas ankesave të kompanive të interesuara për të blerë aksionet e Vllaznisë.

“Procesi i privatizimit të Vllaznisë, për fatin e keq është bllokuar në Komisionin e Prokurimeve Publike në Tiranë. Të premten e kaluar ka qenë afati i fundit që ky komision duhej të kthente një përgjigje përfundimtare për ankesat e bëra, por deri më sot një përgjigje e tillë nuk ka ardhur.

Unë jam i habitur nga mënyra si është menaxhuar kjo pjesë, aq sa ndoshta të lë edhe të dyshosh për këto vonesa që bëhen. Gjithsesi, shpresoj që ky proces të finalizohet sa më shpejt, sepse klubi duhet të privatizohet për shumë arsye që tashmë janë bërë të ditura.

Vllaznia, ashtu si të gjithë ekipet në botë, duhet të privatizohet sepse përndryshe nëse nuk kryen një proces i tillë, sërish do të jetë në dilemë vazhdimësia e saj”, është shprehur sponsori për televizionin lokal “Rozafa” në Shkodër.