Pas titullit kampion të fituar në muajin tetor, Vllaznia e boksit ka fituar sot edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë duke kompletuar në këtë mënyrë fitimin e të dy trofeve më të rëndësishëm kombëtar.
Aktiviteti i fundit i këtij viti për boksin shqiptar është zhvilluar gjatë ditës së sotme në palestrën e klubit Vllaznia. Janë zhvilluar vetëm 7 ndeshje sepse duhet thënë se ka patur një pjesmarrje të reduktuar të sportistëve dhe ekipeve.
Gjithsesi kjo nuk e ka penguar Vllazninë që t’i japë vlerësimin e duhur këtij aktiviteti dhe si rrjedhojë në bazë të rezultateve të arritura nga sportistët e saj, ka grumbulluar më shumë pikë se ekipet e tjera dhe në këtë mënyrë është shpallur fituese e këtij trofeu për vitin 2025.
Në përfundim të ndeshjeve është zhvilluar edhe ceremonia e dorëzimit të Kupës dhe ka qenë vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit Florend Kalivopulli ai që ia ka dorëzuar atë trajnerit të Vllaznisë Lazarin Vila.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


