Një tension i jashtëzakonshëm ka ndodhur në përballjen mes Napolit dhe Atalantës, e mbyllur në shifrat 2-2. Gjithçka ndodhi në minutat e fundit të takimit, atje ku rezultati ishte në shifrat 2-1 dhe kishte një duel mes Lorentes dhe Kjaer.

Në pamje të parë dukej si një penallti për Napolin, por arbitri vazhdoi lojën. Pikërisht në atë aksion erdhi edhe goli nga Ilicic, që në fakt sërish krijoi përshtypjen e një realizimi të parregullt për pozicion jashtë loje. E gjithë pankina u ngrit në këmbë për të kontestuar gjithçka ndodhi, ndërsa Ançeloti hyrë në fushë gjithashtu për të qetësuar situatën. Por ai përfundoi jashtë nga vendimi i arbitrit.

Askush nuk po e besonte te vendasit atë që ndodhi, ndërsa presidenti i Napolit, De Laurentis, ka folur hapur kundër arbitrimit në Itali.

“Gjëja më qesharake është se ata më thonë mua se kemi marrëdhënie të ngushta me Sky. Ju keni shpjeguar se atje nuk kishte penallti. Problemi është se duhet të flisni për ata njerëzit që japin zemrën në fushë, për tifozët, të tregoni sesi VAR-i fiket. Problemi është se Rizzoli dhe Nicci nuk e bëjnë punën e tyre siç duhet. Problemi është se ne jemi të lodhur nga këta arbitra, për anën ekonomike dhe vendimarrjet tona.

Nëse unë do të isha si Ançeloti, do të ikja larg nga Seria A. Ne jemi ata që e financojmë futbollin. Unë nuk mund të them ishte apo jo penallti, por kam të drejtë të them që të shihni imazhet te VAR-i. Unë jam duke investuar këtu dhe pa ne të gjithë këta arbitra do të shkonin që të qeronin patate.

Nëse VAR ekziston është e kotë të japësh 8 minuta rikuperim sepse ne po diskutojmë. Por cila është falja e gjyqtarit, i cili i lejon vetes të nxjerrë jashtë një zotëri si Ancelotti ? 80 milion italianë janë të ngopur me këtë arrogancë”, ka thënë De Laurentis. /Sport Ekspres/