Objektivi dhe ëndrra e madhe e Interit në merkaton e verës së kaluar, Luka Modriç, duket se do të jetë juventini i radhës. Është kjo bomba që lëshon media spanjolle, nëpërmjet revistës “Don Balon”, e cila nënvizon se drejtuesit e kampionëve të Italisë kanë në dorë fantazistin e Realit të Madridit, falë ndihmës edhe së bashkatdhetarit Mario Manxukiç.
Pikërisht ky i fundit mendohet se është fshehur pas refuzimit që nënkampioni i botës i bëri Interit në orët e fundit të merkatos së verës së kaluar, duke e ftuar atë te Juventusi, madje duke ia garantuar se blerja e tij ishte e konfirmuar edhe nga drejtuesit e torinezëve.
Modriç, i cili ka shtyrë edhe refuzimin e rinovimit të kontratës me Realin e Madridit, do të zbarkojë në Torino, për të marrë çelësat e mesfushës dhe për të riformuar sërish dyshen e Realit me Kristiano Ronaldon, por edhe atë të kombëtares kroate me Mario Manxukiçin.
Gjithsesi, kjo tratativë nuk është se fsheh prapa vetëm bisedimet private mes dy-tre shokëve, por është një tratativë, e cila prek edhe dy klubet, që kanë vendosur të bëjnë një “pazar” të madh mes tyre. Me Modriçin në Torino, në Madrid do të përfundojë një mes Paulo Dibalës ose Aleks Sandros, duke qenë se sulmuesi dhe mbrojtësi i majtë janë objektiva kryesorë të presidentit Florentino Perez për verën e ardhshme.
Dhe fakti që Reali dhe Juventusi kanë mbetur në marrëdhënie të shkëlqyera edhe pas operacionit “Kristiano Ronaldo”, ky fakt e bën edhe më tepër të besueshëm lajmin se nga sezoni i ardhshëm, në “Allianz Stadium” do të shtohet një tjetër lojtar që ka bërë historinë e Realit të Madridit dhe futbollit europian e botëror