Historia e Leonardo Bonuçit dhe Juventusit duket se ka përfunduar dhe nuk mund të ketë më kthim pas.

Klubi ka marrë vendimin për përjashtimin e lojtarit dhe i është ndaluar hyrja në ambientet stërvitore jashtë orarit zyrtar, duke e lënë që të stërvitet me një trajner personal.

Megjithatë, Bonuçi duket se nuk ka në plan të dorëzohet dhe do që të respektojë kontratën deri në fund. Mëngjesin e sotëm ai është paraqitur sërish në klub për të kërkuar një zgjidhje dhe për të tentuar që t’i bindë për rikthim në skuadër.

Vetë avokati i Bonuçit ka kërcënuar me gjyq. Ai synon që të marrë edhe një dëmshpërblim në rast se Bonuçi nuk kthehet me ekipin dhe shumë që Juventus rrezikon të paguajë, është 2 milionë euro, përveç pagës që arrin në 6 milionë euro.