Italia është mundur 0-2 nga Brazili në ndeshjen çerekfinale të Kampionatit Botëror të 17 vjeçarëve që po zhvillohet në Brazil, ndeshje kjo e luajtur mesnatën e së hënës. Brazili ka fituar me dy gola të shënuar që në pjesën e parë me autorë Patryck në minutën e 6-të dhe Peglow në të 40-të.
Në këtë mënyrë, këtu merr fund ëndrra e italianëve, por njëkohësisht edhe e portierit shqiptar të saj Marco Molla, për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni të rëndësishëm.
Portieri me origjinë nga Shkodra ka qenë sërish titullar edhe në këtë ndeshje për kombëtaren italiane dhe është munduar të tregojë vlerat e tij, megjithatë ai nuk e ka përjetuar aspak mirë humbjen në këtë ndeshje dhe eliminimin nga vazhdimi i mëtejshëm i Kupës së Botës.
Kjo shihet qartë edhe në fotot e mëposhtme teksa shihet tejet i mërzitur, çka tregon më së miri edhe për karakterin e lartë sportiv të tij sepse nuk ka dëshirë ta pranojë lehtë humbjen, qoftë kjo edhe ndaj një emri të madh si Brazili.
© shkodrasport.com